Nitaj i përgjigjet Hotit: Nuk mbrohet territori me rezolutë por me Kushtetutë

Aktuale

Nitaj i përgjigjet Hotit: Nuk mbrohet territori me rezolutë por me Kushtetutë

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 12:51
Muharrem Nitaj dhe Avdullah Hoti

Nëse Ramush Haradinaj e ka seriozisht mosndarjen e Kosovës duhet t’i udhëzojë deputetët e AAK-së që ta votojnë rezolutën që e mbron Kosovën nga ndarja, ka shkruar mbrëmë shefi i Grupit Parlementar të LDK-së Avdullah Hoti. Por, partia e Ramush Haradinaj i përgjigjet Hotit se territori i shtetit nuk mbrohet me rezoluta por me kushtetutë

Nënkryetari i AAK-së Muharrem Nitaj, i pyetur  se si e sheh kërkesën e Avdullah Hotit që AAK-ja ta votojë rezolutën e partive opozitare për mosndarjen e Kosovës, ka thënë se nuk ka dokument më të fuqishëm se sa kushtetuta e cila Kosovën e definon të pavarur e sovrane dhe me kufij të përcaktuar.

“Kosova është një dhe e pandashme dhe është shpallur e pavarur më 17 shkurt 2008 dhe është njohur nga më shumë se 100 shtete.

Ky është fakt dhe ne nuk kemi nevojë për kurrfare rezolute për këtë çështje”, tha Nitaj.

Ai komentoi se LDK-ja ka pasur qëndrim korrekt sa i përket çështjes së kufijve por shton se “nuk kanë nevojë për kurrfarë rezolute”.

“Vlerësoj se rreziku i ndarjes së Kosovës nuk pengohet me rezoluta por me veprime konkrete. LDK-ja ka pasur një qëndrim korrekt për sa i përket çështjes së kufijve dhe integritetit territorial dhe nuk besoj që kemi nevojë për kurrfarë rezolute. Nuk ka dokument më të fuqishëm se sa kushtetuta e cila Kosovën e definon të pavarur e sovrane dhe me kufij të përcaktuar”, u shpreh Nitaj.

“Çka u dashka tash, që kushtetutën ta zëvendesojmë me rezolute apo si”, përfundoi Nitaj.

Ndryshe, këto komente Nitaj i dha pasi mbrëmë Avdullah Hoti i LDK-së ka kërkuar nga Haradinaj, që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ta përkrahë rezolutën e opozitës ku thuhet se askush nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës.

Hoti ka shtuar se gjatë kësaj jave mbahet seanca në të cilën kjo rezolutë është në rend dite.

“Pasneser, ne seancen e radhes, kjo rezolute eshte ne rend dite. Nese z.Haradinaj e ka seriozisht, atehere duhet t'i udhezoje deputetet e AAK-se te votojne kete rezolute. Eshte kaq e thjeshte”, ka shkruar Hoti ndër të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat