I vrari sot në Prishtinë mbante në trup plumbat e UNMIK-ut

Aktuale

I vrari sot në Prishtinë mbante në trup plumbat e UNMIK-ut

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 14:11
Pamje nga vendi i ngjarjes

Sot rreth orës 11:30 në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, ka ndodhur një vrasje.

Sipas Policisë, viktima është A.J, i moshës 27-vjeçare. Por, media ka mësuar se bëhet fjalë për Abid Jasharin.

Media ka mësuar se Jashari mbante në trup disa plumba, pasi ishte plagosur nga policia e UNMIK-ut ne trazirat e marsit të vitit 2004.

Në vitin 2014 Jashari, kërkonte që UNMIK t’i japë dëmshpërblim për atë që i kishte ndodhur. Ai ishte plagosur konkretisht me 6 plumba.

Pikërisht, në pasditen e 18 marsit të vitit 2004 në kohën e trazirave, ai ishte nisur për në lagjen Mati, ku luante zakonisht futboll, por i gjendur rastësisht në rrugë gjatë protestës, aty mori lëndimet e përjetshme.

Siç raportonin mediat, në vitin 2014, Jashari, gjatë gjithë kohës, kishte menduar se trupat e KFOR-it ishin ata që e kishin plagosur, por pas analizave të bëra nga KFOR-i, i është thënë se plumbat 9 mm të pushkës së gjuetisë janë të policisë së UNMIK-ut.

Abid Jashari, menjëherë pas plagëve të marra, kishte kërkuar shërim, por i ishte thënë se po të bëhej operacion, rreziku për të mos mbijetuar është 97 %. Problemi kryesor qëndron te plumbi, të cilin e mban në kokë e që është vetëm 1 mm larg trurit.

Ndërkohë, akoma nuk dihen arsyet që quan në vrasjen e të riut. Por, vrasja ka ndodhur derisa ai po lëvizte me makinë sot në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë.

Sipas Policisë, fillimisht ishte raportuar për një plagosje, por viktima nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndëruar jetë.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore. Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se nga arma e zjarrit është plagosur një person, derisa po qarkullonte me veturën e tij në rrugën e sipërshënuar.  I njëjti nuk i ka mbijetuar plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe në vend ngjarje ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Aktualisht njësitet policore janë duke punuar ne sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat