Kuvendi voton anëtarët e Këshillit për Ndihmë Juridike Falas

Aktuale

Kuvendi voton anëtarët e Këshillit për Ndihmë Juridike Falas

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 07:49
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur Naser Shalën drejtor të sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ndërsa kanë votuar edhe për zëvendësdrejtorin e kësaj agjencie.

Derisa Shala arriti të marrë 50 votat e nevojshme për pozitën e drejtorit në AKVP, duke lënë pas vetes Flire Kikën, e cila mori 22 vota, këtë nuk e arritën dy kandidatët tjerë për pozitën e zëvendësdrejtorit.

Kjo ka çuar në përsëritje të konkursit për zëvendësdrejtor të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Në këtë pikë votuan gjithsej 79 deputetë, ndërsa prej tyre ishin 4 vota të pavlefshme.

Kuvendi voton anëtarët e Këshillit për Ndihmë Juridike Falas

Hidajete Vokshi ka marrë votat e nevojshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për anëtare të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas.

Kandidatët e tjerë të cilët kanë marrë vota të përafërta me njëri tjetrin kanë shkuar në balotazh.

Për këtë pikë të rendit të ditës kanë votuar 79 deputetë, ku 18 prej këtyre votave ishin të pavlefshme.

Dështon balotazhi, përsëritet konkursi për kryesues të bordit të ZRRE-së

Pas një pauze prej shumë se një orë ka vazhduar punimet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku edhe pas balotazhit për kryesues të bordit të ZRrE-së, asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme, gjë që çon në përsëritje të konkursit.

Dy kandidatët, Bekim Jakupi dhe Petrit Pepaj morën vota të përafërta me njëri-tjetrin nga deputetët. Nga 79 vota sa ishin gjithsej, 7 ishin të pavlefshme, ndërsa 39 ishin për Jakupin dhe 33 për Pepajn.

Ndërkohë, Kuvendi i Kuvendit po vazhdon punimet me diskutimin e pikave tjetra të rendit të ditës./

Miratohet projektligji për statusin e mësimdhënësve gjatë viteve nëntëdhjeta

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës 1990/99, me 71 vota pro dhe asnjë kundër.

Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, ka thënë se ky është kurorëzimi i shumë përpjekjeve për miratimin e këtij ligji.

Ai në një postim në Facebook shkruan se kjo është më e pakta që mund të bëhet për mësimdhënësit, të cilët janë heronjtë e viteve më të vështira për Kosovën.

“Do të bëjmë edhe shumë më shumë, sepse mësimdhënësit janë, po ashtu, heronjtë e të sotmes dhe të ardhmes tonë”, shkruan ministri Bytyqi.

***

Debati për projektligjin për automjete ka kaluar në akuza në mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se arsyeja pse nuk po votojnë këtë projektligj është mundësia që iu është dhënë një kompanie për monopolin në homologim.

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Billall Sherifi, duke komentuar monopolet në homologim, tha se kjo çështje është shndërruar në përplasje elektorale, edhe pse zgjedhjet nuk janë afër.

Sherifi: Nëse keni marrë ofertë është e rrejshme

“Mos të fillojmë me përplasje elektorali sepse edhe nëse keni marrë ofertë, dine që janë të rrejshme ato”, ka thënë ai.

Atij iu ka kundërpërgjigjur deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami se mos të manipulojnë me opinionin.

Bajrami: Mos manipuloni

“Mos manipuloni se kinë se ju jeni këtu për interesa të qytetarëve se besoni që secili qytetarë iu njeh edhe juve edhe AAK-në edhe të gjithë tjetër. Shikoni çka keni bërë me akcizën, shikoni çka po bëni me 8 milionë e 200 mijë euro prej rezervave shtetërore,  i ndani një kompanie thuajse të tjerat nuk kanë të drejta në këtë shtet“, ka thënë ai.

Projektligji iu është kthyer komisionit. Ndërsa, nuk ka kaluar as projektligji për miniera dhe minerale, për shkak të mungesës së kuorumit.

Përndryshe, me kërkesë të deputetes Gabimete Musliu, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje për Betejën e Likoshanit.

***

Me një orë vonesë ka filluar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të përfundohen 47 pika të papërfunduara nga seancat e mëparshme.

Votimi në lexim të dytë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për automjete,

Shqipe Pantina nga PSD, tha se nuk do të marrin pjesë në votim dhe votojnë vetëm atëherë kur përshtatet me standardet evropiane.

Pantina: E votojmë projektligjin nëse ai ndryshohet

“Në rast se ka vullnet, ne jemi të gatshëm ta votojmë projektligjin nëse ai ndryshohet dhe iu përshtatet standardeve të BE-së, pra në vend që të kushtëzohet importimi i veturave me vjetërsinë e tyre ai të kushtëzohet me plotësimin e standardeve, siç është me plotësimin e standardeve euro 4“, ka thënë ajo.

Kurse, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku tha se ky ligj i plotëson të gjitha standardet evropiane.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pati kritika për Partinë Socialdemokrate.

Hoti: PSD është duke kërkuar pazarin e radhës

“PSD është duke kërkuar pazarin e radhës për të votuar këtë ligj. Ta kemi të qartë, ky ligj kërkon rritjen e viteve të importit të veturave të vjetra, që janë të dëmshme për ambientin”, tha ai.

Deputeti Muharrem Nitaj tha se me këtë ligj nuk eliminohet standardi euro 4.

Kurse, nga VV thanë se nuk do ta votojnë këtë ligj.

E propozuesi i ligjit Mergim Lushtaku kërkoi të tërhiqet projektligji për t’iu kthyer komisionit parlamentar./KosovaPress/

***

Ndonëse filloi me gjysmë ore vonesë, seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka shkuar menjëherë me një pauzë prej 15 minutave për shkak të mungesës së deputetëve.

Kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, i cili hapi punimet e seancës, tha se nuk janë plotësuar kushtet për t’u votuar pikat e rendit të ditës, dhe për këtë dha 15 minuta pauzë në mënyrë që të arrihet kuorumi.

Ndërsa janë 47 pika të papërfunduara nga seancat e mëparshme, në sallën  Kuvendit të pranishëm ishin vetëm 24 deputetë.

Vazhdimi i seancës së Kuvendit

Kuvendi i Kosovës po vazhdon sot mbajtjen e seancës plenare. Në këtë seancë, në rend dite janë 47 pika për shqyrtim.

Kuvendi mbanë seancë plenare

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot në orën 10:00 do të mbajë vazhdimin e seancës plenare.

Në këtë seancë në rend dite janë 47 pika për shqyrtim.

Më poshtë e gjeni rendin e plotë të ditës:

I. Pikat e papërfunduara nga seancat e mëparshme:

1. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete,
2. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale,
3. Shqyrtimi i dytë i Projekt-Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës,
4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,
5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës,
6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-090 për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit,
7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2003/24 Ligji i Sportit ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-075 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/24 për Sport,
8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-075 për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive,
9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat personale,
10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave,
11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99,
12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës,
13. Formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,
14. Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017,
15. Votimi i Raportit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare,
16. Votimi i Raportit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi,
17. Votimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017,
18. Votimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017,
19. Emërimi i 7 (shtatë) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për trashëgimi Kulturore,
20. Shkarkimi i një (1) anëtari të Bordit të Autoritetit Rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare,
21. Zgjedhja e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,
22. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
23. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
24. Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit të Pavarur për Media,
25. Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas,
26. Emërimi i anëtarëve të Komisionit për Ndihmë Shtetërore,
27. Emërimi i Kryesuesit dhe të një (1) anëtari të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit,
28. Emërimi i Drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
29. Votimi për Formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala,
30. Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2019,
31. Votimi i kryesuesit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, sipas kërkesës së GP të PSD-së,
32. Formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për (2) dy anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, mbajtur me 30 janar 2019:

1. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Protokollin Shtesë 5 të Marrëveshjes për Amendimin dhe Aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore,

2. Votimi i Vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e asociimit në organizata joqeveritare,

3. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

4. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë,

5. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave.

6. Votimi në parim i Projektligjit për transmetuesin publik të Kosovës,

7. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore,

8. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës,

9. Votimi në parim i Projektligjit për peticione,

10. Votimi në parim i Projektligjit për mbrojtjen nga zhurma,

11. Votimi në parim i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

12. Votimi në parim i Projektligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar,

13. Votimi në parim i Projektligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës,

14. Votimi në parim i Projektligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve.

III. Pika e papërfunduar nga Seanca jashtëzakonshme, mbajtur më 8 shkurt 2019:

1. Votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale të Qeverisë së Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat