Ekskluzive: Dështon Policia, 27 vjeçari kishte kërkuar ndihmë pak orë para se të vritej

Aktuale

Ekskluzive: Dështon Policia, 27 vjeçari kishte kërkuar ndihmë pak orë para se të vritej

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 15:24
Abid Jashari

Abid Jashari mbeti i vrarë në paraditen e së mërkurës nga plumbat që u shkrepën në drejtim të tij derisa po voziste veturën. E këtë vrasje, ka dështuar ta parandalojë Policia e Kosovës, e cila ishte në dijeni se vrasje mund të kryhet.

Tashmë edhe zyrtarisht është kuptuar se i dyshuari kryesor për këtë vrasje është vëllai i gruas së të ndjerit Jashari, personi me emrin Besnik Shkodra, i cili pas ndjekjes disa orëshe të hetuesve policorë edhe është  vetë dorëzuar mëngjesin e sotëm në polici.

Media ka mësuar se viktima Abid Jashari kishte paralajmëruar policinë se po kërcënohet për vrasje.

Ai meqë ishte ndjerë i frikësuar kishte shkuar në mesnatën e 26 shkurtit në Stacioni Policor Veriu në Prishtinë (i cili ndodhet në lagjen Vranjevc) dhe kishte treguar hallin e tij.

Siç mëson media nga burimet e veta brenda Stacionit Policor Veriu, Jashari kishte treguar në detaje se prej kujt është kërcënuar dhe se vrasje mund të bëhej së shpejti.

“…edhe përmes personave tjerë më ka dërguar porosi se do të më vras. Tash më ka thirr në telefon dhe më ka thënë se është nisur të vjen në Kosovë dhe vetëm për të më vrarë mua”, ka treguar Abit Jashari në polici vetëm 11 orë para se të mbetej i vrarë.

Redaksia e FaktePlus mëson se derisa i ndjeri Abid Jashari ishte duke u marrë në intervistë është verifikuar edhe dosja e personin që ka kryer kërcënimin me vdekje, pra të dhënat për Besnik Shkodrën.

Sipas verifikimit është mësuar se personi në fjalë ka qenë autor në kryerjen e disa veprave penale.

Mirëpo edhe përkundër këtij fakti, çuditërisht zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Veriu në Prishtinë, nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë mbrojtëse ndaj ankuesit, në këtë rast për Abit Jasharin.

Ai madje është liruar dhe pa asnjë përcjellje policore ka shkuar në shtëpi dhe të nesërmen më 17 shkurt në orën 11:30 edhe vritet derisa po voziste veturën në një rrugë të kryeqytetit afër objektit të Shkollës Teknike.

27 vjeçari mbeti i vrarë në vend pasi është qëlluar disa herë me armë zjarri nga personi që policia pak më vonë ka arritur ta identifikoj dhe u kuptua se ai ishte miku i të ndjerit, Besnik Shkodra.

Sipas një njoftimi që ka lëshuar sot paradite policia, thuhet hetuesit policorë që nga momenti kur ka ndodhur vrasja kanë punuar me intensitet të lartë, duke bastisur gjashtë lokacione për të lokalizuar/arrestuar të dyshuarin.

Policia thotë se edhe thirrjet zyrtare nga ana e tyre, kanë bërë që sot rreth orës 7:00 të mëngjesit i dyshuari kryesor për këtë rast të dorëzohet.

“Kjo ka bërë që B. Sh mashkull 26 vjeç, të  vetë dorëzohet në stacion policor. I njëjti ka dorëzuar edhe një armë zjarri (revole) e cila dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu, bëhet e ditur se nga ana e policisë, është konfiskuar për ekzaminim edhe një veturë e tipit CITROEN.

Aktualisht hetuesit policor po kryejnë proceduarat e nevojshme policore, ndërkohë që personit të dyshuar, nga ana e prokurorit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat