Veseli nuk ishte në takime me amerikanët, por thotë se Bondsteel-i nuk mbyllet

Aktuale

Veseli nuk ishte në takime me amerikanët, por thotë se Bondsteel-i nuk mbyllet

Më: 1 mars 2019 Në ora: 13:01
Kadri Veseli

Në Republikën e Kosovës që nga dita e djeshme janë duke qëndruar dy zyrtarë të lartë të administratës së Donald Trump të cilët dje kanë zhvilluar takime me kryeministrin Ramush Haradinaj e presidentin Thaçi, ku kanë diskutuar rreth vazhdimit të dialogut në Bruksel dhe për çështjen e taksës.

Pas këtyre takimeve në mënyrë jozyrtare është thënë që dy përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë kanë paralajmëruar se do të tërhiqen nga Bondsteel nëse Kosova vazhdon të jetë e padëgjueshme karshi Amerikës.

Për një gjë të tillë ka folur sot kryeparlamentari Veseli edhe përkundër faktit se nuk ka qenë dje në takimet me amerikanët.

Ai ka thënë se baza e Bondsteel do të vazhdojë të qëndrojë, por që duhet treguar të mençur për ta ruajtur atë.

“Do të qëndroj baza në Bondsteel. Por ne duhet të jemi të mençur që ta mbajmë edhe bazën në Bondsteel, por me e promovuar këtë prezencë Amerikane edhe me biznese amerikane”, ka thënë Veseli në konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë.

Kreu i PDK-së ka folur edhe rreth vendimit për taksën, duke paralajmëruar se ndaj një Serbie që e lufton çdo ditë shtetësinë e Kosovës masa të tilla do të vazhdojnë. Megjithatë thotë së këto çështje nuk është mirë që të shfrytëzohen për konsum të brendshëm në Kosovë.

“Me SHBA-të do të jemi bashkë në një qëndrim dhe veprim. Nuk është mirë që për konsum të brendshëm të dëmtohen dhe relaitivizohen qëndrime që janë shumë dinjtioze ndaj  Republikën e Serbisë. Ata deri tani kanë treguar agresivitet dhe mosnjohje, dhe kjo është arsyeja se pse kemi bërë veprime administrative ndaj saj, dhe të jeni të bindur do të vazhdojmë, për faktin se siç sillet Serbia me neve do të sillemi”, është shprehur ai.

Ai ka bërë  thirrje që të tregohet mençuri në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Çdo kërkesë e SHBA-së dhe çdo qëndrim i tyre, duhet të jetë edhe i Kosovës. Por në raportin me dialogun duhet të jemi serioz, ndërsa në raportin me SHBA-në duhet të jemi të mençur dhe pragmatik”, është shprehur Veseli.

Sipas tij nuk duhet dramatizuar shumë me situatën, as për dialogun dhe as për taksën.

“Ajo që duhet bashkërisht të bëjmë është që mos ta dramatizojmë situatën, qoftë për dialogun qofte për taksën. Ato duhet t’i shërbejnë ballafaqimit me Serbinë. Për faktin se shumë gjëra që po ndodhin aktualisht në Kosovës, më tepër po shfrytëzohen për garë të brendshme, me çka po i dëmtojmë qytetarët”, ka potencuar ai.

Kreu i Kuvendit i ka quajtur si të çoroditura idetë se mund të prishen raportet SHBA-Kosovë.

 “SHBA-të janë partneri më i sigurt në shtet formim. Janë ide të çoroditura që nga SHBA-të do të vije ndonjë rrezikim i shtetit të Kosovës. Kisha kërkuar që me u ndalë një qasje kundër frymës Amerikane që po e glorifikon Rusinë”, ka thënë ndër të tjera.

Në fund të konferencës ai ka drejtuar edhe kritika drejt gazetarëve, duke thënë se po i duartrokasin frymës kundër SHBA-së në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat