Ministri Gashi iu bën thirrje qytetarëve që të mos gjuajnë me armë zjarri gjatë festimeve

Aktuale

Ministri Gashi iu bën thirrje qytetarëve që të mos gjuajnë me armë zjarri gjatë festimeve

Më: 1 mars 2019 Në ora: 16:24
Dardan Gashi

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për gjuajtjen me armë në odën e Fatmir Limajt, ku të pranishëm ishin edhe Sami Lushtaku e Endrit Shala.

Përmes një reagimi për media, Gashi ka thënë se e pranon gjobën e shqiptuar dhe se u bën thirrje mediave që të raportojnë në mënyrë korrekte lidhur me këtë rast.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se nuk do të ushtrojë ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Kjo është deklarata e plotë e ministrit Gashi:

Shfrytëzoj rastin të sqaroj opinionin publik, se përkundër raportimit jo-korrekt të disa mediave, nuk bëhet fjalë për “gjuajtje me armë zjarri”, por edhe sipas kualifikimit të Prokurorisë dhe Forenzikës së Republikës së Kosovës që ka ekzaminuar mjetet e përdorura, bëhet fjalë për “imitim arme me gaz”, e cila përveç zhurmës që krijon nuk prodhon predhë apo çfarëdo materiali tjetër me të cilin mund të shkaktohet ndonjë lëndim.

Edhe përkundër faktit është relativisht e paqartë sipas Kodit Penal kualifikimi I këtyre mjeteve për shkak të detyrës publike që ushtroj, pranoj gjobën e shqiptuar dhe njëkohësisht bëj thirrje mediave që të raportojnë në mënyrë korrekte lidhur me këtë rast.

Unë jam përgjigjur nga fillimi të gjitha ftesave të organeve shtetërore ashtu sikurse edhe kërkon Ligji. Këshillat juridike që kam marr nga avokatët mbrojtës konfirmojnë se gjoba në fjalë nuk ndikon në ushtrimin e detyrës publike të cilën e kam.

Me këtë konfirmoj se nuk do të ushtroj ankesë ndaj vendimit, ndërsa gjobën do ta paguaj sipas kërkesave të Gjykatës, ashtu që kjo temë të konsiderohet si e mbyllur, ndërsa apeloj tek qytetarët që pavarësisht rastit të përmbahen nga veprimet e gjuajtjeve me armë zjarri gjatë festimeve familjare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat