Kritikohet konfiskimi i vogël i pasurisë së paligjshme

Aktuale

Kritikohet konfiskimi i vogël i pasurisë së paligjshme

Më: 1 mars 2019 Në ora: 17:09
Kritikohet konfiskimi i vogël i pasurisë së paligjshme

Gjatë vitit që lamë pas është shënuar rënie në konfiskimin e pasurisë së paligjshme në Kosovë. Raporti i koordinatorit kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike për periudhën tetor-dhjetor 2018, thotë se viti që lamë pas është përmbyllur me vetëm 50 mijë euro pasuri të konfiskuar. Kjo rezultoi me kritika të shumta nga anëtarët e KPK-së.

Pas raportimit të koordinatorit kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike, Shqipdon Fazliu, pasoi një debat i ngjeshur lidhur me këtë çështje. Kjo pasi ky i fundit në rekomandime ka cekur që duhet të rritet llogaridhënia në KPK dhe KGJK, gjë që është kundërshtuar nga anëtarët e këshillit, pasi që sipas këtyre të fundit koordinatori nuk ka të drejtë të vlerësojë KPK-në.

Fazliu tha se përderisa gjatë vitit 2016 dhe 2017, shuma e konfiskuar pati kaluar vlerën prej 1 milionë e 200 mijë euro, në vitin 2018 nuk janë as 50 mijë euro të plota të konfiskuara tërësisht.

Fazliu: Shifra prej 50 mijë euro është jashtëzakonisht e vogël

“Në vitin 2018 kemi pak diçka më pak, do të thotë as 50 mijë euro të plota të konfiskuara përfundimisht, që mendojmë se është një shifër me të vërtetë e papërfillshme meqenëse kemi parasysh faktin se ka qindra policë hetues brenda Policisë së Kosovës, hetues në ATK, doganë, qindra prokurorë, qindra gjyqtarë, kështu që kjo shifër është jashtëzakonisht e vogël, e papërfillshme. Ndoshta një e mirë në krejt këtë është që një pjesë e rasteve janë në procedim e sipër, munden për përfundu”, tha ai.

Zëvendëskryesuesi Arben Ismaili tha se është alarmuese shuma prej 50 mijë eurosh e konfiskuar si pasuri e paligjshme.

Sipas tij, raporti i prezantuar sot nuk përmban elementet e nevojshme, ndërsa ka shtuar se koordinatori Fazliu është dashur të tregojë se sa ka qenë vlera e shumës që është dashur të konfiskohet.

Ismaili: Raporti nuk është konform rregullores dhe memorandumit

“Më shqetësues është fakti kur thotë se: ‘duhet të bëhet një analizë ose një perfomancë e Këshillit Prokurorial nga prokurorët e Zyrës së kryeprokurorit të shtetit. Këtë duhet me ditë se kush i zgjedh ata prokurorë të Zyrës së shtetit. Ky raport nuk përmban atë çka duhet të përmbajë sipas rregullores dhe memorandumit”, tha ai.

Edhe anëtari i Këshillit, Haxhi Sinani, dha vërejtjet e tij për këtë raport.

Sinani: Raporti ka vetëm dështime

“Çka po shoh këtu është dashur të jetë analiza e mossuksesit, jo e suksesit. Sepse në këtë raport kurrgjë sukses nuk po shoh, vetëm dështime. Duhet më i kërku pse janë këto dështime, ku është faji. A është faji tek këshilli, apo është tek dikush tjetër? Nëse është te dikush tjetër, tek kush”, tha Sinani.

Ndërsa këtu reagoi Shqipdon Fazliu, i cili tha se është ai vet që e vlerëson punën, pasi kështu e përcakton rregullorja.

Fazliu: Prokurori nuk e ka lexu mirë rregulloren, kujt po i frikësoheni për matje të perfomancës

“Nuk kisha vazhdu me e bë këtë punë për asnjë moment nëse isha brengosë se çfarë mendon dikush. Ne i kemi dhënë mendimet e tona. Sa i përket perfomancës të institucioneve po më duket se prokurori nuk e ka lexu mirë rregulloren. Unë jam ai që e vlerësojë punën e institucioneve rreth konfiskimit, jo ju mua...Nëse veç po kërkoni llogaridhënie kujt po i frikësoheni për matjen e perfomancës. Unë jam për llogaridhënie, në atë moment që mendoni se dikush mundet me e bë këtë detyrë më mirë, prej tash konsiderojeni dorëheqjen time”, ka reaguar ai.

Kryesuesi i Këshillit Bahri Hyseni tha se Fazliu ka të drejtë kur thotë se nuk ka rezultate në konfiskim, por nëse nuk ka suksese, ai tha se janë lëshime të të gjithëve.

Hyseni: A ka bashkëpunu koordinatori me prokurorët

“Kisha dashtë me ditë cili ka qenë roli i koordinatorit tek prokurorët, a ka bisedu me ta”, shtroi ai.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi tha se nëse nuk ka sukses në sekuestrimin e pasurisë së paligjshme, atëherë nuk do të ketë sukses as në luftimit e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas Lumezit, KPK ka qenë ‘syçelë’ gjatë masave të konfiskimit.

Lumezi: Brengosëse rezultatet e punës tonë

“Unë mendoj që brengosëse në këtë analizë duhet me qenë  edhe rezultatet e punës tonë. A kemi rezultate apo jo. Qëllimi ka qenë që kjo zyre me sesibilizu edhe institucionin e prokurorit të shtetit por edhe insititucionet tjera në konfiskimin, ngrirjen dhe sekuestrimin e pasurisë. Ndërsa koordinatori nuk ka kompetencë vendimmarrëse, më shumë ka rol vlerësues, kështu që duhet me e kuptu edhe rolin e koordinatorit në këtë zyrë. Sa i përket të dhënave, se gjatë vitit që lamë pas i kemi pasur 27 milionë euro sekuestrime ndërsa 50 mijë euro i kemi pasur konfiskime përfundimtare, kjo duhet me qenë brengosëse edhe për Këshillin Gjyqësor, Prokurorial dhe për institucionin e Prokurorit të Shtetit. Pse kemi këso diskrepancë të madhe, kjo është obligim i koordinatorit me na dhënë analizën”, tha Lumezi.

Kështu polemikat vazhduan edhe për një kohë, ndërkohë kur erdhi momenti i hedhjes së raportit në votim, koordinatori Shqipdon Falziu u largua nga mbledhja. Ndërsa Këshilli Prokurorial votoi raportin pa rekomandimet që Fazliu kishte dhënë.

Pas kësaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar dorëheqjen e Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial, ndërsa ka hapur konkursin për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Njëherësh, Këshilli ka themeluar edhe Komisionin për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës me kryesues Besim Kelmendin dhe Drita Hajdarin, si dhe Xhevdet Bislimin anëtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat