Analistët: Përplasjet mes Thaçit e Haradinajt po krijojnë çarje të parikuperueshme

Aktuale

Analistët: Përplasjet mes Thaçit e Haradinajt po krijojnë çarje të parikuperueshme

Më: 2 mars 2019 Në ora: 16:33
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Përplasjet mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidentit të vendit Hashim Thaçi për heqjen apo pezullimin e taksës dhe për korrigjimin e kufijve Kosovë-Serbi, janë komplet të panevojshme dhe po krijojnë përmasa të një çarjeje fundamentale dhe mbase të parikuperueshme.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në vend.

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri në një prononcim ka thënë se kjo përplasje mes dy krerëve është komplet e panevojshme sa i përket çështjes kombëtare dhe shtetit.

Sipas tij, zgjedhja e këtyre çështjeve nuk duhet të bëhet në publik mirëpo përmes institucioneve.

“Është komplet e panevojshme sa i përket çështjes kombëtare dhe shtetit. Presidentit dhe kryeministrit nuk i duhet përplasja publike por i duhet në institucione t’i zgjidhin çështjet. Këto polemika po krijojnë ndjenjën edhe të nivelit të ulët dhe ofendues”, ka thënë Tahiri.

Tahiri theksoi se kjo përplasje duhet të tejkalohet përmes procedurave zyrtare.

“Kjo tejkalohet me procedurë normale, zyrtare. Mund ta marrin iniciativën në Kuvend për njëri apo tjetrin, t’i thërrasin në interpelancë. Përmes interpelancës mund të kërkojnë shkarkimin e njërit apo tjetrit”, ka thënë ai.

Ndërsa analisti Artan Muhaxhiri, tha se personazhet e rëndësishme të skenës politike synojnë të pozicionohen në atë mënyrë që të shfaqen sa më vendimmarrës në raport me epilogun e procesit.

“Periudhat e veçanta politike krijojnë hapësira të mëdha për protagonizëm. Personazhet e rëndësishme të skenës politike synojnë të pozicionohen në mënyrë që të shfaqen sa më vendimmarrës në raport me epilogun e procesit. Etapa e fundit e dialogut me Serbinë konsiderohet mundësi historike për të kontribuar drejtpërdrejt në projektimin e të ardhmes së shtetit të Kosovës, prandaj edhe liderët institucionalë si Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Haradinaj dëshirojnë me çdo kusht të lënë gjurmë të personalizuara të ideve të tyre”, tha ai.

Muhaxhiri po ashtu theksoi se konflikti mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj tashmë ka arritur përmasa të një çarjeje fondamentale dhe mbase të parikuperueshme.

“Dallimet në pikëpamje janë shumë të thella, ndërsa përplasjet retorike tejet të vrazhda, saqë nuk duket aspak realiste të mendohet se ata përnjëherësh do të mund të bëjnë kompromis të atij niveli i cili do të ndikonte në përfarim qëndrimesh”, u shpreh ai

Siç tha Muhaxhiri, edhe Thaçi, edhe Haradinaj janë duke përdorur diskurse populiste, të ngarkuara fjalë të mëdha dhe emocione patriotike, me qëllim ta rrisin peshën e fitores apo relativizmin e humbjes eventuale.

“Ky konflikt e dëmton fuqinë politike të Kosovës, pasi reflekton në devijimin e energjive konstruktive nga pika kryesore, që është beteja me Serbinë në Bruksel, në përçarjet e brendshme kokëforta me mungesë vullnetesh për kërkim të gjetjes së pajtueshmërisë.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me tone të ashpra i ka bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi që të mos mendojë se e mashtron popullin e Kosovës as me korrigjim të lehtë të kufijve, sepse, siç thotë ai, kjo nuk do të ndodhë, ndërsa në anën tjetër presidenti i vendit Hashim Thaçi potencon se çdo mosdëgjim apo kryeneçësi është ana e gabuar e historisë./Telegrafi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat