Vdes fotografi që pasqyroi tmerrin e serbëve në Kosovë gjatë luftës

Aktuale

Vdes fotografi që pasqyroi tmerrin e serbëve në Kosovë gjatë luftës

Më: 3 mars 2019 Në ora: 18:40
Yannis Behrakis

Berhakis, kryeredaktori i Departamentit të Fotografisë në Reuters, punoi për këtë agjenci për gati 30 vjet, duke mbuluar ngjarjet më të rëndësishme të planetit, nga konfrontimet në Afganistan, në Afrikë, Çeçeni, e deri në tërmetin e fuqishëm në Kashmir, apo revolucionin në Egjipt.

Përveç çmimeve të tjera si World Press Photo në 2000, Calvados në 2002 dhe titullin “Fotografi i Vitit” nga Guardian në 2015, Behrakis bashkë me grupin e fotografëve që drejtonte, morën në vitin 2016 çmimin e lartë Pulitzer, për mbulimin e krizës së refugjatëve.

“Quhem Yannis Behrakis. Po qëndroj në bregdetin e ishullit grek të Lesvosit. Pas meje ju mund të shikoni një barkë dhe jelekët e shpëtimit që lanë këtu emigrantët dhe refugjatët”,shprehej Behrakis gjatë asaj kohe.

Një prej fotografive më të preferuara të tij ishte ajo e një babai refugjat nga Siria, që mban fort në duar vajzën e tij, në mesin e një ure pranë kufijve të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, në kulmin e krizës së refugjatëve.

Punët e tij fituan përveç çmimeve, edhe admirim në komunitetin e korrespondentëve të luftës, pasi vuri në dukje aftësinë e tij të rrallë për të gjetur bukurinë mes kaosit dhe guximit të tij për të qenë në zemër të veprimit duke treguar terrorin e luftës, frikën, vdekjen, dashurinë, tmerrin, urinë, zemërimin, dëshpërimin dhe guximin

Për publikun shqiptar dhe jo vetëm, nuk harrohet fotografia e tij që përshkruan momentin kur një baba nga Kosova vendos në arkivol djalin e tij dy vjeçar, të vrarë në luftën e zhvilluar atje në fund të viteve 90.

Behrakis donte që në mënyrën më të bukur artistike, me përkushtim, t’i tregonte njerëzimit të vërtetën nga zonat e luftës dhe vendet e krizës, në mënyrë që askush të mos thoshte ditën tjetër se nuk dinte se çfarë po ndodhte atje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat