Shqiptarët, optimistë për fitore në Tuz

Aktuale

Shqiptarët, optimistë për fitore në Tuz

Më: 3 mars 2019 Në ora: 19:34
Foto

Në qendrën kryesore të votimit në Tuz, sipas anëtarëve të Këshillit Zgjedhor, mbi 50 për qind kanë dalë për të votuar, ndërsa mohojnë të ketë pasur ndonjë parregullsi, përveç atyre teknike, raporton KP.

Enver Gjokaj, i cili jeton në Kaliforni, ka ardhur në Tuz të përcjellë procesin zgjedhor, që sipas tij është historik për Malësinë. Ai uron që Tuzi të udhëhiqet në katër vjetët e ardhshme nga shqiptarët.

“Jemi ardhur për të suportuar këtë çështje të fitojmë, sot është fitore e madhe sot, dhe që Malësia të jetë çdo herë e më mirë…Ashtu jemi të informuar që sot do të fitojmë dhe duhet të jemi optimist që sot të fitojmë. Ky është vendi jonë i Malësisë dhe Malësia do të fitojë…. Prej këtyre personave presim që të udhëheqin Tuzin për çështje shqiptare, për çështje të Malësisë”, tha ai.

Zgjedhjet e sotme i sheh si të një rëndësie të madhe edhe qytetari tjetër i Tuzit, Arton Gjokaj, i cili tha se në këtë ditë vendoset e ardhmja e qytetarëve të Malësisë.

“Sot është një ditë e veçantë për gjithë qytetarët e Tuzit, gjegjësisht gjithë qytetarët e Tuzit. Gjegjësisht gjithë qytetarët e Malësisë. Pres që këto zgjedhje të kalojnë pa incidente dhe pa probleme. Dhe gjithë qytetarët të dalin në zgjedhje dhe të votojnë listën e tyre të preferuar, sepse në këtë ditë vendoset e ardhmja e qytetarëve të Malësisë… Optimizmi është gjithmonë në nivel dhe shpresa vdes e fundit… Dëshira e çdo shqiptari është të qeverisë vendin e vet. Andaj ne jemi optimist në këtë drejtim”, ka thënë ai.

E anëtari i Këshillit Zgjedhor në Kuvendin e Komunës, Leon Dukaj, tha se deri në orët e pasdites në këtë qendër votimi kanë votuar mbi 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

“Deri më tani kanë dalë 460 votues nga 851 sa kanë të drejtë vote. Pra me përqindje 51,2 për qind…. Përveç kompjuterit, i cili është herë pas here duke u ristartuar, që ka ndodhur për herë të parë në këtë vend, deri më tani nuk ka pasur parregullsi tjera”, ka thënë ai.

Analisti politik, Kristian Duka, thotë se këto janë zgjedhjet e para që po mbahen si komunë e pavarur dhe se fushata për këto zgjedhje ka qenë e qetë. Sipas tij, kushdo që fiton këto zgjedhje do ta presin punë të shumta në këtë komunë.

“Kemi pesë parti politike që garojnë dhe një koalicion, koalicioni shqiptarë. Ajo çka është pritur me dekada me radhë, bashkimi i shqiptarëve në një koalicion të vetëm tashmë është realizuar. Dhe këtë ditë dhe para disa ditëve fushata ka qenë shumë e qetë dhe nuk ka pasur ekcese dhe në mënyrë shumë demokratike… Puna e vërtetë fillon nesër më 4 e tutje sepse, komuna e Tuzit, si komuna më e re kërkon në punë dhe një angazhim shumë të madh, kështu që mendoj që barra kryesore dhe angazhimi kryesor i partive politike që do të formojnë pushtetin e ardhshëm në Tuz do të fillojë vetëm nesër, sepse kërkohet themelimi i administratave të ndryshme, pastaj e organeve të ndryshme dhe kështu me radhë”, tha Duka.

Ai tha se për këto zgjedhje shqiptarët janë bashkuar dhe se qytetarët sipas tij meritojnë një udhëheqje shqiptare.

Kujtojmë se për këto zgjedhje janë hapur 30 qendra votimi, dhe të drejtë vote kanë 11,800 qytetarë. Kjo e diele pritet të jetë historike, pasi për herë të parë pas 62 vjetësh, Tuzi do të ketë një udhëheqje komunale të pavarur nga Podgorica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat