Alarmon Blakaj: Provat dhe dëshmitarët okularë po zhduken, krimet e luftës nuk po trajtohen me prioritet

Aktuale

Alarmon Blakaj: Provat dhe dëshmitarët okularë po zhduken, krimet e luftës nuk po trajtohen me prioritet

Më: 5 mars 2019 Në ora: 08:32
Bekim Blakaj

Drejtori Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) në Kosovë, Bekim Blakaj, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se pos rastit të vëllezërve Bytyqi, Serbia edhe në shumë raste tjera nuk ka vepruar pavarësisht që ka pasur fakte të mjaftueshme.

Blakaj ka thënë se për shkak të mos njohjes së Kosovës nga Serbia, shumë persona kanë shpëtuar nga drejtësia.

“Shumica e atyre që kanë kryer krime në Kosovë gjenden në Serbi. Pa një bashkëpunim mes Kosovës dhe Serbisë këta persona nuk mund të dënohen sepse Serbia nuk pranon dëshmitë nga Kosova”.

Drejtori Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) në Kosovë thotë se hetimet për krime të luftës nuk po trajtohen me prioritet.

“Provat zhduken me kohën, qoftë edhe dëshmitarët okularë. Kujtesa u zbehet dëshmitarëve“, tha ai.

Blakaj ka thënë se narracioni për luftën nuk duhet të jetë i ndikuar nga nacionalizmi, pasi kështu nuk arrihet te e vërteta.

“Kam frikë se nëse bëhet edhe një luftë pas disa viteve, ajo do të jetë edhe më e përgjakshme, pasi gjeneratat e reja po rriten me një narracion shumë paragjykues ndaj tjerëve”, tha ndër të tjera Bekim Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat