Përshkallëzon përplasja Thaçi-Haradinaj: Kryeministri thotë se Radojçiqin e ka takuar në zyrën e presidentit

Aktuale

Përshkallëzon përplasja Thaçi-Haradinaj: Kryeministri thotë se Radojçiqin e ka takuar në zyrën e presidentit

Më: 5 mars 2019 Në ora: 14:59
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë mbledhjes së Qeverisë ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim platforma për dialogun me Serbinë pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës, pasi siç tha përmes konsultave me kryetarin e Parlamentit do të ftojë një seancë të jashtëzakonshme për t’i dhënë një epilog kësaj çështje.

Kreu i ekzekutivit gjithashtu tha se nesër do të ketë një seancë solemne për të nderuar veprën dhe sakrificën e familjes Jashari.

Haradinaj: Platformën për dialog mund të kemi në parlament së shpejti për votim

“Platformën për dialog mund të kemi në Parlament së shpejti për votim, mund të ndodhë që të ftoj në seancë të jashtëzakonshme për platformën sepse është mënyra më e shpejtë për të ardhur tek seanca. Por jemi në konsulta me spektrin politik dhe me kryetarin e Parlamentit. Nesër e kemi ftuar një seancë po i dedikohet Epopesë së Jasharëve, përvjetorit të Epopesë së Jasharëve është në ora 15:30 në parlament, është solemne nuk ka diskutime është seancë solemne e kam kërkuar me siguri do ta kem një gjysmë  fjale unë dhe një gjysmë fjale kryetari i Kuvendit”, tha kryeministri Haradinaj.     

Platforma për dialogun ka marr përkrahje prej Qeverisë javë më parë, ndërsa në Komisionin e Punëve të Jashtme nuk e ka marr dritën e gjelbër për të shkuar në Kuvend.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar plotësim ndryshimin e vendimit për themelimin e Qendrës Përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët “Bllaca 1999”. “Me plotësim ndryshimin e sotëm të vendimit, ndahen 100 mijë euro për realizimin e këtij projekti.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga të gjithë resorët qeveritarë dhe institucionalë në përmbushjen e obligimeve dhe angazhimeve në favor të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

Me vendimin që ka miratuar sot Qeveria e Republikës së Kosovës, është autorizuar Ministri i Financave që të aprovojë transfere nga nën programi “Shpenzimet e paparashikuara” në shuma individuale deri në shumën prej 40 mijë eurove për vitin 2019 të ndarjeve buxhetore.

Nisma për lidhjen e “Marrëveshjes për punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të anëtarëve të një misioni diplomatik apo konsullor” me Republikën e Francës, ka marrë miratimin në parim në mbledhjen e sotme. Gjithashtu edhe nisma për nënshkrimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Mbretërisë së Tajlandës për mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve ka marrë mbështetjen në parim nga kabineti qeveritar.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka aprovuar në parim nismën për anëtarësim si “Anëtar i asociuar” në Zyrën Ndërkombëtare të Peshave dhe Matjeve.

Miratimin në parim gjithashtu e ka marrë edhe marrëveshja ndërkombëtare për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital, në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Portugalisë.

Kabineti qeveritar është informuar në mbledhjen e sotme me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së gjatë vitit 2018.

Kryeministri ka prezantuar idenë për organizimin e një takimi të kryeministrave të vendeve të rajonit për të diskutuar procesin e integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, dhe në të cilin do të ftoheshin edhe përfaqësues nga Komisioni Evropian.

Kryeministri po ashtu ka kërkuar informata për zbatimin e Ligjit të Prokurimit nga Ministria e Financave, për përfshirjen e komuniteteve pakicë në Policinë e Kosovës si dhe kërkesat e Shoqatave të dala nga lufta.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka kërkuar angazhimin e Ministrive të veçanta në procesin e realizimit të marrëveshjeve të arritura nga mbledhjet e përbashkëta të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.

Qeveria e Kosovës, në këtë mbledhje, ka ndarë 40 mijë euro për të përmbushur kontributin vjetor të Qeverisë së Kosovës për vitin 2019 në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, me seli në Sarajevë.

Kryeministri Ramush Haradianaj sot pas mbledhjes së Qeverisë ka folur për raportet e tij me presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se përçarja për taksën ndaj Serbisë po e dëmton Kosovën dhe po paraqet probleme.

Ai ka folur edhe për bashkëpunimin me nënkryetarin e Listës Serbe Milan Rajdojçiq, duke thënë se nuk i ka dëgjuar komentet e presidentit në Tiranë, ndonëse e pranoi se një herë e ka takuar edhe Hashim Thaçin me Radojçiq në zyrën e Presidencës.

Haradinaj: Një herë e kam takuar edhe presidentin Thaçi me Radojçiq në zyrë të vet

“Kam punuar, Rajdojçiq si përfaqësues i Listës Serbe, kam punuar edhe me kolegë të tjerë të Listës Serbe, por kur ka proces gjyqësor, ne e respektojmë procesin ligjor. Nuk kam ndonjë këshillë, çdo kush vepron në bazë të bindjeve të veta. Ju siguroj që një herë e kam takuar edhe presidentin Thaçi me Radojçiq në zyrë të vet. Pra, në Zyrën e Presidentit e kemi mbajtur një takim të përbashkët. Është një dallim, unë me ata që takohem, me ata që ua jep dorën në fshehëm kurrë”, tha Haradinaj.

Kryeministri e pranoi që ka bashkëpunuar me Milan Rajdojçiq, por pa i bërë asnjë dëm Kosovës.

Haradinaj: Bashkëpunimi me Radojçiqin s’ka sjellë dëme për Kosovën

“Ekziston një thënie e Abraham Lincoln, kishte qenë duke u zgjedhë president, një senator i ka thënë: “Zotëri president, baba i yt ka ndreq këpucë në shtëpinë time”. Ai ia ka kthyer, po a? A ke ndonjë vërejtje në këpucë? Senatori: Jo. Në rregull. Pra, kjo është e vërtetë që ka ndodhur. Unë vërtet kam punuar me të (Radojqiçin). Kush ka vërejtje në punën që kam bërë me të, ose që i kam bërë dëm vendit tim, Kosovës, le ta thotë kush do që ka”, deklaroi Haradinaj.

Ndërkaq, kryeministri është pajtuar me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli se asnjë Qeveri nuk duhet rrezikuar marrëdhënien me SHBA, ndërsa ka përsëritur se taksa ndaj Serbisë do të jetë në fuqi derisa mos të dihet kontrata ose përmbajtja e dialogut Kosovë-Serbi.

Haradinaj: Asnjë qeveri nuk e rrezikon marrëdhënien me Amerikën

“Unë isha pajtua fjalë për fjalë me atë që ka thënë Veseli, që asnjë qeveri se rrezikon marrëdhënien me Amerikën, pra e rrezikojnë që të gjithë, por është zor një me rrezikuar ose një me ndreq. Po ashtu ka plotësisht drejt që nuk e mbron Kosovën një person cilido qoftë, pra edhe aty jam dakord. Për këtë arsye, unë kam shpreh edhe shqetësimin tonë për mungesën e unitetit kur janë temat e interesit nacional. I përmenda shembujt e mirë si në rastin e ushtrisë dhe Trepçës, po e përmend edhe rastin e keq si rastin e tarifës që jemi ndarë. Unë e kuptoj një dëshirë për të ofruar një dalje sikur është sugjeruar nga plot udhëheqës në Kosovë, mirëpo, arsyeja ju kam treguar pse e mbajmë një kurs të tillë është bukur serioze… Meqenëse është një veprim i marrë gjithë së bashku unë e mbroj atë në emër të të gjithëve”, tha Haradinaj.

Ndërsa për dialogun ai tha se është i nevojshëm, por fajtor për mos vazhdimin e këtij procesi është kryekëput Serbia.

***

Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se sot ka takuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli për caktimin e seancës për shqyrtimin e Platformës për Dialogun Kosovë-Serbi, por jo edhe për tema tjera.

“Qëndrimet e mia i dini të gjitha lidhur me taksën. Pajtohem me Veselin që asnjë qeveri nuk mund t’i rrezikojë raportet më Amerikën. Unë e kuptoj një dëshirë për të ofruar një dalje, mirëpo arsye pse mbaj një qëndrim të tillë janë serioze dhe vendimin qeveritar e mbroj”, porositi Haradinaj.

Ndërsa për dialogun ai tha se është i nevojshëm, por fajtor për mos vazhdimin e këtij procesi është kryekëput Serbia.

Haradinaj ka folur edhe për raportet e tij me presidentin Hashim Thaçi,  duke thënë se përçarja për taksën ndaj Serbisë po paraqet probleme dhe mos unifikim ndërmjet faktorit politik të brendshëm.

Ndërkaq për bashkëpunimin me nënkryetarin e Listës Serbe Milan Rajdojçiq, Haradinaj tha se nuk i ka dëgjuar komentet e presidentit në Tiranë.

“Do të ruhem në deklarata politike sikur rasti i Radojçiq ngaqë është në proces gjyqësor. Kam bashkëpunuar me Radojçiq sikur me ish-ministrin Rikallo. Dua të kujtoj se së bashku me presidentin Thaçi në zyrën e presidentit e kam takuar Radojçiq”, tha Haradinaj.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është raportuar për zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit gjatë vitit 2018, i cili është miratuar nga kabineti qeveritar.

Haradinaj thotë se platforma e dialogut shumë shpejtë do të jetë në Kuvend

Kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se shumë shpjet platforma për dialogun do të jetë në Kuvend.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se janë në konsulta të vazhdueshme që platforma e dialogut të jetë sa më shpejtë në Kuvend për votim.

Ai ka thënë se një gjë e tillë pritet të ndodhë shumë shpejt.

Në mbyllje të mbledhjes së Qeverisë ai po ashtu u ka bërë thirrje të gjithë ministrave që të jenë nesër prezent në seancën solemne të Kuvendit për nder të Epopesë së UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat