Haradinaj: Radojçiqin e kam takuar në zyrën e presidentit Thaçi

Aktuale

Haradinaj: Radojçiqin e kam takuar në zyrën e presidentit Thaçi

Më: 5 mars 2019 Në ora: 15:20
Ramush Haradinaj

Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se sot ka takuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli për caktimin e seancës për shqyrtimin e Platformës për Dialogun Kosovë-Serbi, por jo edhe për tema tjera.

“Qëndrimet e mia i dini të gjitha lidhur me taksën. Pajtohem me Veselin që asnjë qeveri nuk mund t’i rrezikojë raportet më Amerikën. Unë e kuptoj një dëshirë për të ofruar një dalje, mirëpo arsye pse mbaj një qëndrim të tillë janë serioze dhe vendimin qeveritar e mbroj”, porositi Haradinaj.

Ndërsa për dialogun ai tha se është i nevojshëm, por fajtor për mos vazhdimin e këtij procesi është kryekëput Serbia.

Haradinaj ka folur edhe për raportet e tij me presidentin Hashim Thaçi,  duke thënë se përçarja për taksën ndaj Serbisë po paraqet probleme dhe mos unifikim ndërmjet faktorit politik të brendshëm.

Ndërkaq për bashkëpunimin me nënkryetarin e Listës Serbe Milan Rajdojçiq, Haradinaj tha se nuk i ka dëgjuar komentet e presidentit në Tiranë.

“Do të ruhem në deklarata politike sikur rasti i Radojçiq ngaqë është në proces gjyqësor. Kam bashkëpunuar me Radojçiq sikur me ish-ministrin Rikallo. Dua të kujtoj se së bashku me presidentin Thaçi në zyrën e presidentit e kam takuar Radojçiq”, tha Haradinaj.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është raportuar për zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit gjatë vitit 2018, i cili është miratuar nga kabineti qeveritar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat