Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani tash e disa kohë kanë mbetur pa kryetar.
Vendimi për taksën u bë shtysë që këta katër kryetarë komunash, të japin dorëheqje nga postet e tyre.
Mirëpo, çështja në fjalë ka mbetur pezull për shkakun se ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ua pranoi format e dorëheqjeve.
Kjo për shkakun se të njëjtit në letrat e tyre institucioneve shtetërore i ishin referuar si institucione të “Kosovës dhe Metohisë”.
Këtë e konfirmon edhe zëvendësministri i Administratës Publike, Beqir Fejzullahu. Ai thotë se në formën aktuale, këto dorëheqje nuk janë të pranueshme.
“Në këtë formë në të cilën janë dërguar, ato janë refuzuar. Arsye e refuzimit është se të njëjtit shtetit të Kosovës i janë referuar si Kosovë e Metohi. Po ashtu ata e kanë tejkaluar afatin ligjor”, thotë Fejzullahu.
Sipas zëvendësministrit, kjo çështje tashmë ka marrë karakter politik të nivelit qendror.
“Çështja më shumë tanimë i përket një karakteri politik të nivelit qendror. Ne jemi në kontakt me punëtorët e komunave dhe gjithherë u japim informata për mënyrën se si duhet të veprojmë”, ka thënë Fejzullahu.
E pas vendimit të katër kryetarëve serbë të komunave, është defunksionalizuar edhe puna në institucione komunale.
Asamblistja nga radhët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Gonxhe Çaushi, thotë se që nga dorëheqja e kryetarit, nuk është mbajtur asnjë seancë. Megjithatë, sipas saj në këtë komunë nuk është vërejtur ndonjë përkeqësim i situatës së sigurisë
“Situata në Veriun e Mitrovicës pas dorëheqjes së kryetarit Rakiq, ka qenë kryesisht e qetë dhe nuk është vërejtur ndonjë ndryshim përpos që nga dorëheqja e tij, Kuvendi Komuna nuk ka mbajtur ende asnjë seancë”, thotë ÇaushI.
Theksojmë, se dorëheqjeve të katër kryetarëve serbë të komunave u kishte paraprirë vendimi për rritjen e taksës nga 10 në 100 për qind.
Në lidhje me këtë vendim kishte folur edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Ai kishte thënë se dokumentet e paraqitura nga katër ish-kryetarët i njeh as kushtetuta e vendit.