Hoti publikon apelin e Ibrahim Rugovës bërë më 1998 liderëve botërorë lidhur me regjimin e Beogradit ndaj Kosovës

Aktuale

Hoti publikon apelin e Ibrahim Rugovës bërë më 1998 liderëve botërorë lidhur me regjimin e Beogradit ndaj Kosovës

Më: 5 mars 2019 Në ora: 20:25
Ibrahim Rugova

Shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti ka bërë publike një apel të ish-presidentit, Ibrahim Rugova bërë liderëve botërorë më 1998 që të bëjnë trysni mbi regjimin e Beogradit.

Përmes këtij apeli Rugova kishte kërkuar ndërprerjen uirgjente të operacioneve të policisë dhe të ushtrisë serbe në Skënderaj, Gllogoc, Klinë, Mitrovicë, Vushtrri dhe në pjesë tjera të Kosovës, ku po pësonte popullsia civile.

Ndër të tjera, Rugova i kishte bërë apel edhe popullit të Kosovës që të mos u nënshtrohej provokimeve dhe dezinformatave serbe të cilat kishin për qëllim të fusin frikë dhe panik.

Më poshtë postimi i plotë i Hotit:

Qendra për Informim e Kosovës
Informatori ditor nr. 1988 – I
Prishtinë, 5 mars 1998 (Ora: 16,00)

Apel i kryetarit Rugova dërguar Klintonit, Blerit, Shirakut dhe Kolit të bëjnë trysni mbi regjimin e Beogradit

Kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova sot kërkoi ndërprerjen urgjente të operacioneve të policisë dhe të ushtrisë serbe në Skënderaj, Gllogoc, Klinë, Mitrovicë, Vushtrri dhe në pjesë tjera të Kosovës, ku po pëson popullsia civile.

Me një apel të transmetuar sot, kryetari Rugova thërret bashkësinë ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa preventivë në Kosovë dhe që të bëjë trysni edhe më të madhe mbi Beogradin me qëllim të ndërprerjes urgjente të aksioneve policore dhe ushtarake në disa fshatra të Drenicës.

Kryetari Rugova u bëri apel presidentit Klinton, kryeministrit britanik Bler, presidentit Shirak dhe kancelarit Kol që të bëjnë trysni mbi regjimin e Beogradit për ndaljen e aksioneve të policisë dhe të ushtrisë serbe.

Sot kryetari Rugova kërkoi një prezencë ndërkombëtare të të gjitha formave në Kosovë për mbrojtjen e popullit të Kosovës, i cili është përcaktuar që vullnetin e vet për pavarësi ta realizojë me mjete paqësore.

Kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova kërkoi nga populli në Kosovë që të mos u nënshtrohet provokimeve dhe dezinformatave serbe që kanë për qëllim të fusin frikë dhe panik. Me qëllim të përballimit të kësaj gjendje, kryetari Rugova kërkoi nga partitë politike në Kosovë dhe nëpër komuna që të mobilizohen. Sidomos është e domosdoshme që forcat politike në komunat fqinje me Drenicën të përgatiten që ta ndihmojnë popullatën e saj dhe që ta përcjellin gjendjen e rëndë në atë rajon.

Në apelin e tij kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, siguron popullin e Drenicës dhe të Kosovës se është në kontakt me qendrat e vendosjes ndërkombëtare dhe se ato po shqyrtojnë mundësinë për hapa preventivë në Kosovë me qëllim të ndërprerjes së aksioneve policore dhe ushtarake serbe.

Kryetari Rugova kërkoi nga mjetet e informimit që ta përcjellin gjendjen në mënyrë objektive dhe që të jenë në funksion të njoftimit me përmasat e aksioneve policore dhe ushtarake serbe në Drenicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat