Isa Mustafa: Ekipi i dialogut është degradim i shtetësisë së Kosovës!

Aktuale

Isa Mustafa: Ekipi i dialogut është degradim i shtetësisë së Kosovës!

Më: 6 mars 2019 Në ora: 21:37
Isa Mustafa

Ish-kryeministri i vendit, lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se grupi për Dialog është degradim i shtetësisë së Kosovës.

Sipas tij, ky grup është kthim prapa, prapa vitit të shpalljes së pavarësisë, në kohën e UNMIK-ut, kur Kosova nuk kishte institucionet e veta me legjitimitet të plotë, pra mu atje ku e dëshiron Serbia dhe ata që e kontestojnë shtetësinë e Kosovës.

“Ligji për dialogun është dokument i turpit dhe shantazhimit të këtij koalicioni nga një parti e vogël në Kuvend që po ua siguron mbijetesën në kapje dhe zhvatje të shtetit.Platforma e dialogut nuk ofron asgjë tjetër veç pritje të rrejshme në opinion. As Ligji e as Platforma nuk e sanksionojnë përgjegjësinë e zyrtarëve shtetëror që lobojnë dhe pajtohen me shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë, përkatësisht shtetësisë së shpallur më 17 shkurt 2008”, ka thënë Mustafa.

I njëjti ka shtuar se absurdi qëndron në faktin se Platforma e hartuar nga një grup që nuk përfaqëson shumicën në Kuvend, synohet të aprovohet me shumicë të thjeshtë, kurse Marrëveshja kërkon të ratifikohet me 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend.

“Askush nuk guxon ta bjerë Kuvendin para aktit të kryer! As Presidenti, as Kryeministri e as askush!Dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri legjitime dhe me një Platformë e cila duhet të jetë produkt i një pajtimi të gjerë dhe të aprovohet me 2/3 në Kuvend ashtu si edhe Marrëveshja”, ka shtuar Mustafa.

I pari i LDK-së ka paralajmëruar inicimin e ndryshimit të Kodit Penal, duke shtuar se duhet të sanksionohet vepra penale për çdo zyrtar i cili e vë në pikëpyetje Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe shtetësinë e Kosovës.

“Kjo nuk bëhet me Platformë dhe Ligj që nuk e mbrojnë Kosovën por i mbrojnë ata që dialogojnë”, ka përfunduar Mustafa.

Ndryshe duhet përkujtuar që me kërkesë të kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj me fillim nga ora 09:00 nesër në Kuvendin e Kosovës do të zhvillohet një seancë ku do të diskutohet për Dialogun dhe Platformën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat