Ambasadori Lebet: Rishikimi i kufijve nuk ka funksionuar asnjëherë

Aktuale

Ambasadori Lebet: Rishikimi i kufijve nuk ka funksionuar asnjëherë

Më: 7 mars 2019 Në ora: 12:59
Tryeza

Ambasadori i Zvicrës në Prishtinë Jean-Hubert Lebet është shprehur sot kundër korrigjimit të kufirit me Serbinë, pasi sipas tij, rishikimi i kufijve asnjëherë nuk ka funksionuar në histori.

Ai porositi të punohet në çështje që preokupojnë vendet, dhe jo në nënshkrimin spektakular të marrëveshjes.

Këto komente ambasadori Lebet i bëri në tryezën “Si e sheh Delegacioni Shtetëror të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi?”, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, në të cilën munguan dy bashkëdrejtuesit e ekipit për dialogun Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

Diplomati zviceran kërkoi që të mos ketë nguti për një marrëveshje me Serbinë, pasi sipas tij, në këtë mënyrë nuk mund të ketë qëndrueshmëri të paqes, vetëm sa do të komplikoheshin gjërat. Sipas tij, politikanët duhet të parashtrojnë pyetjen se si do të ndikojë marrëveshja në jetën e qytetarëve, teksa ka dhënë 4 leksione.

Ai tha se secili proces i paqes duhet të marrë parasysh të gjitha specifikat e secilit konflikt.

Lebet: Rishikimi i kufijve nuk ka funksionuar asnjëherë

“Rishkrimi i kufijve asnjëherë nuk ka funksionuar. Ne nuk kemi asnjë shembull në histori ku lëvizja e kufijve me shkëmbim të territoreve ka mundësuar paqe të qëndrueshme dhe normalizim ndërmjet palëve. Pse? Sepse problemet ekzistuese dhe nga konflikti do të vazhdojnë të jenë të pranishme, të kristalizuara nëpër të njëjtit kufij, të lëvizur vetëm disa kilometra larg. Kështu që, të njëjtat gjëra do të vazhdojnë të jenë të gjalla, madje edhe do të bëhen më të komplikuara duke lëvizur këta kufij... Tjetri mësim, i dyti. Është se asnjëherë mos u detyroni për një marrëveshje që arrihet me zor. Asnjëherë nuk kemi shembuj ku një rregullim i shpejt ka qenë afatgjatë. Madje edhe më pak, te këto detyrime të shtyra me zor, të imponuar nga të tjerët. Më lejoni të citoj presidentin Trump që ka thënë: ‘mos të nxitohet, mos të nxitohet’, ne vetëm dëshirojmë të arrihet marrëveshja e duhur, kryesuesi Kim dhe unë vetëm duhet të arrijmë marrëveshjen e duhur, shpejtësia nuk është e rëndësishme, e rëndësishme është që të bëjmë marrëveshjen e duhur’. Kështu që është presidenti Trump, më 27 shkurt, dhe kjo është në Guardian”, tha ai.

Për më tepër, ambasadori zviceran është shprehur se nuk është qëllimi kryesor nënshkrimi i një marrëveshje. Sipas tij, fokusi të jetë tek çështjet me rëndësi, jo në nënshkrimin spektakular të marrëveshjes.

Lebet: Nuk është qëllimi kryesor nënshkrimi i një marrëveshjeje

 “Nënshkrimi i një marrëveshjeje, nuk është qëllimi kryesor. Ajo që është e rëndësishme është përfundimi i procesit të implementimit të një marrëveshjeje, e cila e bën ndryshimin. Ne e dimë nga marrëveshja e Brukselit, e cila është marrëveshje e thjesht me dy faqe, që çështjet kryesore janë ende të pazbatuara dhe të pazgjidhura. Kështu që ne duhet të punojmë në çështjet dhe jo në nënshkrimin spektakular të marrëveshjes”, theksoi ai.

Ai tha se Zvicra ka koncentruar kapacitetet e saj në sektorët në të cilët duhet të kenë zhvillim, duke mbështetur kështu dialogun dhe çështjen e të pagjeturve, në mënyrë që të arrihet drejtësi për viktimat.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, tha se dialogu Kosova gjithmonë ka qenë për dialog. Ndërsa ndryshe nga Serbia, ai theksoi se Kosova njihet shumë më tepër për zbatim të marrëveshjeve të arritura.

Ndonëse tha se duhet të ketë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, edhe Baraliu thekson se nuk duhet ngutur në këtë drejtim, pasi që vlerëson se asnjëra palë nuk është e gatshme për një gjë të tillë.

Baraliu: Dialogu duhet të përfundojë, por pa nguti

“Ky dialog duhet të përfundojë. Kosova është e papërgatitur për dialog. Mendoj që rrethanat ndërkombëtare, zgjedhjet në BE, konstalacioni i forcave në planin ndërkombëtar, lufta tregtare mes Amerikës dhe Kinës, dhe aktivizimi i Rusisë për të pasur ndikimin e saj tash së fundi haptazi, në pikën strategjike siç është Kosova, flasin se tash nuk është koha e duhur për nguti që këmbë e duar të shkohet në një marrëveshje për të cilën askush nuk është i përgatitur dhe mungon vullneti politik i të dyja palëve”, tha Baraliu.

Vërejtje dhe shqetësime për dialogun me Serbinë ngritën edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme që morën pjesë në këtë tryezë.

Kështu, Taulant Kryeziu nga IPEK, tha se është pikërisht mungesa e legjitimitetit në dialogun me Serbinë është shqetësimi kryesor i dialogut me Serbinë.

Ndërsa profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, u shpreh se duhet të arrihet uniteti politik në Kosovë, në mënyrë që vendi të jetë më i përgatitur për dialog. Sipas tij, marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen pasi ndryshe humbet logjika se pse duhet të dialogohet më tutje.

Përparim Kryeziu nga GSJP theksoi se politikanët në asnjë moment nuk po arrijnë të sigurojnë se territori nuk do të jetë pjesë e bisedimeve të Brukselit. Sipas tij, kjo është e rrezikshme pasi që për aq kohë sa ka pajtueshmëri brenda koalicionit se territori do të jetë subjekt i negocimit, nuk ka çfarë e ndalon një gjë të tillë.

Ndërsa Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) tha se ky diskutim do të duhej të bëhej në prani të bashkëdrejtuesve të delegacionit, teksa shtoi se duhet të trajtohet edhe ajo nëse ekipi negociator është apo nuk është legjitim.

Kryeziu: Duhet t’i qasemi seriozisht dialogut Kosovë - Serbi

“Çka është duke bërë sot shteti i Kosovës? Çka është duke bërë grupi negociator i quajtur ‘i Kosovës?’ A jemi duke bërë vetëm letra, ose vërtet duhet t’i qasemi në mënyrën më serioze dialogut Kosovë – Serbi”, tha ai./N.Jakupi/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat