Veseli-Haradinaj: Kosova është gati për dialog

Aktuale

Veseli-Haradinaj: Kosova është gati për dialog

Më: 7 mars 2019 Në ora: 18:14
Kadri Veseli

(E plotësuar) - Pas miratimit në Kuvend të projektligjit për dialogut dhe Platformës, është thënë që platforma do të jetë udhërrëfyes i dialogut të mundshëm me Serbinë. Ndërsa, opozita i konsideroi dy dokumente jokushtetuese të cilat do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese.

Kryetari i ekipit negociator Fatmir Limaj ka thënë se nga sot Kosova e ka një pozicion zyrtar dhe një zë që ka votuar në Kuvend.

Limaj: Delegacioni do ta ketë udhërrëfyes platformën

"Tani e tutje Kosova do të jetë vetëm me një zë, zërin që ka votuar Kuvendi i Kosovës dhe ajo përmblidhet në platformën e votuar sot. Deputetët e Kuvendit i kanë dhënë besimin platformës dhe delegacioni shtetëror i Kosovës nga tani e tutje udhërrëfyes të vetin në negocimin e mundshëm do ta kenë platformën e votuar”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se sot Kuvendi kreu disa punë me rëndësi ku votoi ligjin për kompetencat e delegacionit dhe platformën me një shumicë të plotë.

Haradinaj: Kosova është më e gatshme për dialogun

“Mendoj se Kosova është më e gatshme dhe më e  përgatitur dhe vërtetohet që është serioze në obligimet e veta për dialogun Kosovë-Serbi. Me pas mendime ndryshe është e shëndetshme në demokraci por edhe mos me marrë pjesë për një temë si kjo nuk mendoj që është strategji e mirë për partitë politike që e kanë lëshuar seancën sot se është tema më jetike që e kemi në vend dhe me siguri që diskutimet kishin ndihmuar për t’i sqaruar pikëpamjet për qytetarët”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se nga sot Republika e Kosovës është e gatshme të ballafaqohet në dialogun me Serbinë.

Veseli: Republika e Kosovës është gati

 “Nga sot Republika e Kosovës, është gati të ballafaqohet në procesin e dialogut final i cili do të thotë për ne vetëm ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, do të thotë shtetësi e plotë, sovranitet i plotë, jo asociacion me kompetenca ekzekutive dhe jo cenim i sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, tha kryeparlamentari Veseli i cili i falënderoi deputetët që votuan për ligjin e dialogut dhe platformën për këtë proces.

Kreu i Kuvendit të Kosovës ftoi sërish deputetët e opozitës që ti bashkohen procesit të dialogut.

Veseli: Opozita t’i bashkohet ekipit

“Pjesëmarrja e tyre në procesin e ballafaqimit përfundimtar me Serbinë, i ndihmon vetëm Kosovës, nuk i ndihmon specifikisht luftës politike një partie të caktuar as për të fituar e as për të humbur për arsye se pa Kosovën shtet sovran, pa Kosovën shtet të fuqishëm, pa Kosovën partner me SHBA-të dhe BE-në askujt, asnjërit nga nuk i duhet as pushteti e as karriga. Për këtë arsye unë besoj në racionalitetin e opozitës dhe besoj se do t’i bashkëngjiten ekipit dhe do të marrin përgjegjësinë e vet”, tha Veseli para gazetarëve në hollin e Kuvendit.

Kurse, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se që nga fillimi seanca ka qenë me shkelje kushtetuese.

Hoti:  Votuan dy dokumente jokushtetuese

“U votua ligji për dialog dhe platforma, të dyja dokumente jokushtetuese. Ligji për dialog nuk ka bazë në Kushtetutë, nuk mund të krijohen ekipe që nuk janë të parapara në Kushtetutë dhe në ligjet në vend. Gjithashtu një platformë që buron nga ligji për dialog, ndërkohë që ligji nuk është ende në fuqi. Dëshiroj të iu njoftoj që do të koordinohemi me pjesën tjetër të opozitës për të dërguar këtë ligj në Gjykatë Kushtetuese“, tha ai.

Sipas tij, vetëm zgjedhjet e reja e nxjerrin Kosovën nga ky kaos institucional në të cilën është vendi.

 

Veseli: Sot i është thënë Po procesit të anëtarësimit në OKB

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas përfundimit të seancës ku u votua platforma për dialogun tha se që nga Kosova është gati të ballafaqohet në procesin e dialogut final, i cili do të thotë për vetëm ulëse në OKB do të thotë shtetësi e plotë, sovranitet i plotë, jo Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe jo cenim i sovranitetit dhe integritetit territorial.

Ai ka falënderuar  të gjithë deputetët që kanë votuar për platformën.

“Do të ishte edhe më mirë dhe për këtë arsye edhe para jush thërras kolegët e mi të opozitës, jemi më të fortë për Kosovën, pjesëmarrja e tyre në procesin e ballafaqimit përfundimtar me Serbinë i ndihmon vetëm Kosovës, nuk i ndihmon specifikisht luftës politike të një partie të caktuar as për të fituar as për të humbur. Për arsye se pa Kosovën shtet sovran, pa Kosovën shtet të fuqishëm, pa Kosovën partner të fuqishëm me ShBA-të dhe  askujt,  asnjërit nga ne nuk i vyjnë as pushteti as karrigeje. Për këtë arsye unë besoj shumë në racionalitetin e kolegëve të opozitës”, tha Veseli.

Veseli beson se edhe opozita do të bashkëngjiten dhe do të marrin përgjegjësi. Veseli tha se sot i është thënë Po procesit i cili e anëtarëson Kosovën në OKB  i thotë po sovranitetit dhe integritetit shtetëror.

Sipas tij votimi i sotëm i thotë Jo çdo cenimi i cili është nga Serbia apo kushdo qoftë.

“Do të dalim faqebardhë për faktin se kur e kemi votuar është Nata e Zjarreve”, tha Veseli. Sa i përket asaj se a u votua platforma dhe ligji para vizitës së një delegacioni amerikan të shtunën tha se mund të ketë nga dikush lojëra për të ikur ose preventuar diçka.

“Por, ne nuk kemi çka me i ik asgjëje dhe për ne SHBA-të janë vetëm partneri jonë me të cilin unë as nuk luaj as nuk kalkuloj, por në të cilin mendoj se Kosova shtet i pavarur sovran, ky shtet do të thotë partneritet do të dal faqebardhë nga ky proces i dialogut”, tha Veseli

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat