Krasniqi: Platforma për dialogun e miratuar në Kuvend, nuk flet për njohje reciproke nga Serbia

Aktuale

Krasniqi: Platforma për dialogun e miratuar në Kuvend, nuk flet për njohje reciproke nga Serbia

Më: 7 mars 2019 Në ora: 21:17
Jeta Krasniqi

Jeta Krasniqi nga KDI ka thënë se në Platformën e votuar sot në Kuvendin e Kosovës është luajtur me terma të ndryshëm që krijon hapësira për interpretim.

Krasniqi, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se dokumenti duhet të ishte i qartë në mënyrë që të kërkohej njohje faktike nga Serbia.

“Në këtë dokument ne shohim se flitet për respektim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që është ndryshe nga njohja reciproke nga ana e Serbisë. Pra luajta me terma të ndryshme juridike krijon hapësira që qojnë në interpretim tjetër për një marrëveshje ndryshe e jo njohjen reciproke de jure dhe de facto”.

Anëtarja e shoqërisë civile ka thënë se është mirë që të përcaktohen me saktësi gjërat në mënyrë që marrëveshja e negociuar të jetë edhe në përputhje me vullnetin tonë për mos cenim të integritetit territorial.

“Është shumë e rëndësishme që këto gjëra të jenë mirë të përcaktuara, në mënyrë që kur të shkojmë të negociojmë, ajo marrëveshje që arrihet të jetë në përputhje me vullnetin që ne e kemi për mos cenim të integritetit territorial dhe të marrim edhe njohjen de jure dhe de facto nga Serbia në mënyrë që të ecim përpara”, tha ndër të tjera Jeta Krasniqi nga KDI.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat