Protesta serbe në Mitrovicë: Kosova e jona me tapi, nuk lejojmë ta humbim, e as të krijohet Shqipëria Etnike

Aktuale

Protesta serbe në Mitrovicë: Kosova e jona me tapi, nuk lejojmë ta humbim, e as të krijohet Shqipëria Etnike

Nga: F. B. Më: 7 mars 2019 Në ora: 22:41
Pamje nga protesta serbe

Në organizim të Lëvizjes Popullore të Serbëve të Kosovës – “Atdheu”, pjesë e Lidhjes për Serbinë, sonte në Mitrovicë u mbajt protesta e tretë “1 nga 5 milionë” në të cilën u porosit se askush nuk ka të drejtë të ndaj Kosovën dhe të krijohet Shqipëria Etnike.

Qytetarët e tubuar ndër të cilët edhe deputeti i Kuvendit të Serbisë Sllavisha Ristiç dhe ish-deputeti Marko Jakshiq kanë bartur transparentin nga rruga Car Llazar deri tek objekti i organizatës ruso-serbe në afërsi të urës kryesore ku kanë brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë".

Në fillim ka pasur një incident verbal, kur një simpatizues i Iniciativës Qytetare të Oliver Ivanoviqit deshi të pengoj protestën.

Të pranishmëve iu drejtua Marko Jakshiq duke thënë se "zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të jetë në harmoni me rezolutën 1244 të OKB dhe Kushtetutën e Serbisë", duke shtuar se "asnjë referendum për çështjen e Kosovës që pushteti tradhtar në Beograd mendon të organizoj, Lidhja për Serbinë nuk do të pranoj sepse është kundër kushtetues".

"Përkthyer në gjuhën e popullit, nuk ka ndarje të krahinë jugore të Serbisë. Caktimi i kufijve si ka menduar Vuçiq në mënyrë etnike copëtohet indi serb në Kosovë por edhe veriu i Kosovës. Me caktim të kufijve krijohet Shqipëria e Madhe", vlerësoi Jakshiq.

Ai tha se ka informata se ka marrëveshje 17 pikëshe nga Brukseli dhe Mitrovica do bëhet distrikt” dhe çdo gjë shkon nën ombrellën e Prishtinës".

"Askush, as presidenti nuk ka të drejtë të ndaj serbët. Kujt ja le dhe ia dorëzon Shterpcën, Novo Berdën? A do të jetojnë fëmijët serb nga ato vende në Shqipëri? President, nuk e ke të drejtë të caktosh kufij në Kosovë, Kosova e tëra është e jona dhe këtë e thonë tapitë dhe nuk o lejojmë të humbësh, dhurosh as krijosh Shqipërinë Etnike", ka thënë Jakshiq.

Ai ka pyetur Vuçiqin pse nuk anulohen marrëveshjet e Brukselit pasi Prishtina refuzon të krijoj asociacionin e komunave serbe.

"Për vazhdim të bisedimeve kërkon heqjen e taksës, por të kemi thënë se vetëm me politikën e reciprocitetit mund të arrish këtë. Ata nuk do të heqin taksat", tha Jakshiq dhe vlerësoi se pas 45 ditëve sa kanë caktuar për braktisje të institucioneve të Kosovës, nuk do ta bëjnë këtë sepse “këtë nuk do ta thotë presidenti".

Pjesëmarrësit i kanë bërë homazhe edhe Oliver Ivanoviqit të vrarë duke ndezur qirinj tek pallka ku është vrarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat