Kosova dhe Belgjika me marrëveshje për sigurime sociale

Aktuale

Kosova dhe Belgjika me marrëveshje për sigurime sociale

Më: 8 mars 2019 Në ora: 11:49
Behgjet Pacolli dhe Francois Bontemps

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, pas një takimi, që ka zhvilluar me Ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës, Francois Bontemps, kanë nënshkruar instrumentet e ratifikimit të marrëveshjes për sigurimet sociale në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës.

“Kam nderin që sot të nënshkruajmë Instrumentet e Ratifikimit, përmes së cilave konfirmojmë datën e hyrjes në fuqi të marrëveshjes për “Sigurime Sociale” në mes të dyja vendeve. Marrëveshja e lartpërmendur, përveç rëndësisë së përmbajtjes së saj, po ashtu do të lidhet me një shtet mik të Republikës së Kosovës, me qëllim të promovimit dhe thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin reciprok në fushën e sigurimeve sociale. Jemi të nderuar e me fat të kemi Mbretërinë e Belgjikës përkrah Kosovës gjatë çdo sfide e suksesi. Jemi shumë të kënaqur edhe me intensifikimin e takimeve, konsultimeve politike dhe të gjitha format e bashkëpunimit të deritanishëm”, është shprehur Pacolli.

Sipas një komunikate të MPJ-së, me këtë marrëveshje, do t’i mundësohet shtetasve të dy shteteve, e drejta e tyre në pensionet kontribut-paguese, duke përfshirë dhe pensionet e kursimeve individuale - trusti pensional, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës.

Shtetasit kosovarë të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Mbretërinë e Belgjikës, do t’iu mundësohet, që pas arritjes të moshës së pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat