Në Ditën e Gruas, LDK iu bën thirrje grave që të luftojnë për barazi të përgjithshme

Aktuale

Në Ditën e Gruas, LDK iu bën thirrje grave që të luftojnë për barazi të përgjithshme

Më: 8 mars 2019 Në ora: 13:18
Në Ditën e Gruas, LDK iu bën thirrje grave që të luftojnë për barazi të përgjithshme

Për nder të Ditës së Gruas, partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës iu ka bërë thirrje të gjitha grave që të luftojnë për barazi të përgjithshme në Kosovë, në mënyrë që të drejtat e grave të jenë të barabarta me të burrave.

Kryetarja e Forumit të Gruas Lirie Kajtazi tha se pozita e gruas në Kosovë është e pakënaqshme, pasi siç konsideron ajo vajzat dhe gratë po mbesin të nënpërfaqësuara në çdo nivel të sektorit publik.

Kajtazi: Le të jetë kjo ditë luftë për barazi  të përgjithshme në funksion të mirëqenies së përbashkët

“Vajzat,  gratë përgjithësisht mbetën të nënpërfaqësuara në çdo nivel vendimmarrës ekzekutiv, mos të flasim është thuajse një qeveri mashkullore. Ndërsa, po ashtu dhe papunësia është tejet e theksuar dhe më shumë i ka atakuar gratë dhe të rinjtë në përgjithësi. Këto janë brengat tona që lidhen me mirëqenien e qytetarëve, por në veçanti peshojnë, apo janë barrë mbi supet e gruas, ngase çdo devijim apo mungesë institucionale, e një politike të drejtë institucionale tradicionalisht ka rënë dhe vazhdon të bije mbi supet e grave. Ato kanë plotësuar mungesën e institucioneve dhe politikave sociale, të shëndetësisë, të arsimit dhe përgjithësisht të mbajtjes së jetës në shoqëri... le të jetë kjo ditë luftë për barazi  të përgjithshme në funksion të mirëqenies së përbashkët”, tha Kajtazi.

Deputetja Kajtazi, mes tjerash adresoi kritika të shumta për qeverinë Haradinaj, sipas saj ekzekutivi më shumë po udhëheq për qëllim personale, e aspak për qytetarët.

Duke përmendur miratimin e Ligjit për Paga, ajo tha se kjo e ka shpërfaqur edhe më shumë pabarazinë sociale në shoqëri dhe thelluar varfërinë.

Kajtazi: Koalicion i pazareve më shumë po udhëheq për veten

“Forumit të Gruas i mbetet dhe më shumë që të angazhohet më shumë për të gjitha ato që po i shkakton ky koalicion qeverisës në devijimet e shumta të shoqërisë në atrofimin e shtetësisë së Kosovës në mendësinë politike të këtij koalicioni. Të quajtur me të drejtë koalicion i pazareve, i cili po udhëheq më shumë për vetveten dhe pak, apo aspak për qytetarët. Siç po e shihni me të madhe po angazhohen në punësime familjare. Të gjitha masat që po i ndërmerr kjo Qeveri thuajse kanë nxjerr nga binarët Kuvendin e Republikës së Kosovës, pasi nuk po mundet të ketë rolin e tij kushtetues që të korrigjojë këtë qeveri. Ajo është aq dinamike në devijimet e saja, ditë më parë është miratuar Ligji për Pagat, i cili ka shpërfaqë pabarazinë sociale në shoqëri, ka thelluar varfërinë dhe ky është shqetësimi që bashkërisht  dëshirojmë ta theksojmë”, tha Kajtazi.

Ndërsa, sukses të Qeverisë së kaluar e udhëhequr nga kreu i LDK-së Isa Mustafa, Kajtazi e konsideroi udhëzuesin administrativ të për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve e që sipas saj,  e  ka fuqizuar më shumë pozitën e gruas në të drejtën pronësore.

Kajtazi njoftoi se sot janë bërë  29 vjet që është formuar Forumi i Gruas së LDK.-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat