Rama: Nuk ka dështuar asnjë projekt për armatim

Aktuale

Rama: Nuk ka dështuar asnjë projekt për armatim

Më: 8 mars 2019 Në ora: 13:46
Rrahman Rama

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama sot ka raportuar para Komisionit për Punë të Brendshme, i cili ka thënë se bashkëpunimi i mirë ka qenë dhe po vazhdon me KFOR-in, NATO-n dhe me partnerët ndërkombëtar në fazën e tranzicionit të ushtrisë së Kosovës.

Rama theksoi se nuk ka dështuar asnjë projekt për blerjen e armatimit të ushtrisë më të re në botë.

 Ai foli edhe për trajnimet, për strukturën, arritjet e vitit 2018 dhe për përfshirje në FSK nga komunitete tjera si atyre serbë.

Mosha mesatare në FSK, sipas Ramës është nga 35-37 vjeç. Lidhur me diplomacinë ushtarake, gjeneral Rama tha se aktualisht FSK i ka shtatë atashe ushtarak -, në ShBA, Bruksel dhe vende të tjera, ndërsa dy të tjerë janë në proces për Francë dhe Itali. Me rishikim të buxhetit të shtetit do të kërkojnë mjete shtesë për ushtri. 

Rama: Zgjerimi i bashkëpunimit me partnerët tanë jemi në fazën e zgjerimit të bashkëpunimit

“Një prej prioriteteve kryesore është ngritja e zhvillimit profesional, ndërtimi i kapaciteteve tona tash sidomos në kohën, mandatin dhe misionin e ri. Qëllimi është që ne të ndërtojmë kapacitetet trajnuese për misionin dhe detyrat e reja që do t’i kemi në të ardhmen. Zgjerimi i partneritetit me partnerët tanë jemi në fazën e zgjerimit të bashkëpunimit. Do të rritet diplomacia ushtarake. Miratimi i strukturës së Shtabit të Përgjithshëm tash me ligjin e ri është kompetencë direkt e komandantit të FSK-së. Nuk e shohim asnjë problem zhvillimin e asaj strukture, kemi përvojat, por kemi apsur edhe një përkrahje të jashtëzakonshme nga ekipet profesionale sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një farë mënyre tash jemi ën fazën finale të urdhrit për shërbim në Shtabin e Përgjithshëm”, ka thënë Rama.

Ndërsa Ismet Beqiri anëtar i Komisionit shprehi interesim të marrë informacione nga gjenerali për sanksionet e mundshme dhe për pjesëmarrjen e FSK-së në “Qendrën Marshall”, në Gjermani. Mirëpo, nuk mori përgjigje nga gjenerali.

Beqiri: A ka sanksione për ushtrinë tonë?

“A kemi aktualisht ndonjë problem ose sanksionim, ndonjë shkurtim të ndonjë projekti. Pra aktualisht a kemi ndonjë telashe, duke pasur parasysh ndoshta sjelljet tona institucionale karshi të tjerëve. Andaj, ka ndonjë kërkesë, paralajmërim? Unë e di si anëtarë Komisioni në projektin “Marshall”, ngaqë më është thënë personalisht nga ata që janë kompetent është ankuar. Pra e kemi ndonjë problem në këtë drejtim për shkak të sjelljeve ose qëndrimeve tona eventuale, nuk po paragjykoj të këtij ose të atij”, tha Beqiri.

Ndërsa, deputeti Rexhep Selimi anëtar i Komisionit theksoi se nuk është i mjaftueshëm buxheti aktual dhe ai për dhjet vjetet e ardhme për funksionimin e FSK-së.

Selimi: Nuk është i mjaftueshëm për funksionimin e FSK-së

“Është e kuptueshme që i njëjti buxhet që ka qenë vitin e kaluar për FSK-në s’mund të vlejë sivjet. Vlerësoj se edhe me buxhetin shtesë që është paraparë për dhjetë vite rresht, mendoj se nuk është i mjaftueshëm për funksionimin e FSK-së. Përveç planifikimeve do të dalin edhe nevoja të tjera”, ka thënë Selimi.

Po ashtu edhe deputeti Xhelal Sfeçla anëtar i Komisionit theksoi se për vitin e kaluar FSK-së i kanë tepruar 5 milionë euro dhe ka kërkuar të dijë sa projekte janë mbetur pa u realizuar në këtë Forcë. Sfeçla ka thënë se mbështetja me anë të kompetencave për FSK është e kotë nëse nuk ka mbështetje financiare me anë buxhetore.

Rama: Nuk ka dështuar asnjë projekt për armatim

“Në fakt janë diku 4 milionë euro që nuk janë shpenzuar, por ka një projekt që neve na ka dështuar në sistemin e menaxhimit të informacionit për shkak të kompanive jo profesionale. Janë edhe disa mbetje të tjera të projekteve, por janë projekte të vogla që nuk ka të bëjë me armatim. Kanë të bëjnë projekte me IT”, tha Rama.

Ndërsa, Haxhi Shala kryetar i Komisionit derisa ka pyetur gjeneral Ramën për standardizimin në FSK, kërkoi që me komandantin ta ndezin nga një cigare, dhe pasatja mbledhja e Komisionit të mbahet pa media.

Shala: Sa është përqindja e standardizimit dhe po e dhezim nga një cigare?

“A keni bërë ndonjë analizë, sa ke arrit ose a keni ndonjë përqindje për standardizimin e pajisjeve tash dhe për të ardhmen në FSK. Këto dy pyetjet e mija ishin, edhe po e ndezim nga një cigare”, ka thënë Shala.  

Ndër të tjera gjeneral Rama ka theksuar se ushtrisë së Kosovës do t’i shtohen edhe 650 kadetë ku kanë aplikuar rreth shtatë mijë të rinj kosovarë, dhe do të përzgjidhen në bazë të kritereve të NATO-s.  Numri i aplikuesve së fundi është ngritur për 10 përqind krahasuar me konkurset e viteve të kaluara. Ndërsa, ai tha se FSK për shtatë vjet ka dal institucioni më i besueshëm. Ushtrisë së Kosovës do t’i ndahen 5.5 milionë euro shtesë për çdo vit nga buxheti i shtetit. Ndërkaq, në vitin 2018 mbi 70 pjesëtarë e kanë braktis FSK-në. Aktualisht 10 përqind e minoriteteve janë në FSK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat