Ligji dhe Platforma për dialogun fuqizojnë Ekipin negociator

Aktuale

Ligji dhe Platforma për dialogun fuqizojnë Ekipin negociator

Më: 8 mars 2019 Në ora: 17:35
Ekipi negociator i Kosovës - Foto nga arkivi

Miratimi i Ligjit dhe Platformës për dialogun me Serbinë nga ana e Kuvendit të Kosovës, sipas analistëve politikë nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim të madh në procesin e dialogut, por ata thonë se është një tendencë për të sjellë rregull gjatë procesit të bisedimeve dhe për t'i dhënë mandat ligjor Ekipit negociator.

Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut politik Kosovë-Serbi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, konsideron se ende nuk mund të thuhet se kemi ndryshim në procesin e dialogut politik derisa është ende aktuale ideja për ndryshimin e kufiritdhe nuk ka një konsensus për bisedimet.

"Tani Ligji, Platforma, Rezoluta, të gjitha këto dokumente parimisht janë dokumente, të cilat mund t'i japin një qëndrim shtetit të Kosovës në këto bisedime, por mbetet çështja që ne nuk e kemi ende një konsensus të përgjithshme të spektrit politik, i cili mund të arrihet nëpërmjet këtyre dokumenteve dhe ende kemi qëndrime të ndryshme të institucioneve lidhur me atë se çka ne jemi të gatshëm të kërkojmë nga ky proces dhe çfarë ne jemi të gatshëm të bëjmë në kuadër të kompromiseve për të arritur epilogun e pritur", thotë Krasniqi.

Sipas saj, fakti tjetër pozitiv në rrafshin e negociatave të mëtutjeshme është se procesi nga ana e Kosovës nuk do të udhëhiqet vetëm nga një institucion, por do të ketë edhe përfaqësues të tjerë.

"Një gjë që duhet të theksohet, është që si Ligji po ashtu edhe Platforma, kanë hapësira për t'u përmirësuar apo lënë hapësira për interpretime. Është më se e nevojshme që ashtu siç vetë Delegacioni shtetëror ka thënë që marrëveshja nuk duhet të ketë dykuptimësi edhe qëndrimi i shtetit të Kosovës në këto bisedime nuk duhet të ketë dykuptimësi, por duhet të ketë një qëndrim unik", shprehet Krasniqi.

Ndërkaq, analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se Platforma për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është produkt i Qeverisë, por ajo, sipas tij, nuk i prek përgjegjësitë e presidentit Hashim Thaçi në dialog.

"Ata që kanë pritur se me Platformë do të ndalet presidenti Thaçi në idetë e tij, nuk ia kanë arritur për shkak se ai i ka kompetencat e veta, por në anën tjetër unë e shoh si pozitive miratimin e platformës në aspektin se megjithatë më në fund Kosova e ka një dokument, në të cilin i ka vendosur disa rregulla, në bazë të së cilave mund të zhvillohet dialogu me Serbinë dhe edhe Serbia edhe perëndimi e kanë të qartë se çka kërkon Kosova", konsideron Mushkolaj.

Ai thotë se pavarësisht asaj se kur mund të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, platforma duhet të imponohet nga Kosova si një dokument i qartë zyrtar, mbi të cilin duhet të negociohet.

"Ky dokument duhet të imponohet si pozicion zyrtar i Kosovës, pavarësisht se dikush tjetër, në këtë rast presidenti, mund të ketë ide të tjera apo provon të çoj përpara ide të tjera", vlerëson Mushkolaj.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka deklaruar se Platforma, të cilën e ka miratuar Kuvendi i Kosovës, paraqet goditjen përfundimtare ndaj dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Sipas saj, ky është një dokument, i cili është në kundërshtim me mendjen e shëndoshë.

"Ai është kundër çfarëdo kompromisi dhe kundër çfarëdo dialogu të mëtejshëm. Në të, në asnjë moment, nuk flitet asgjë për jetën e serbëve në Kosovë. Reagimi i Serbisë do të jetë, sikurse gjithmonë deri më tash, i matur dhe i përgjegjshëm, por më duhet të them që në secilin moment do të dimë të mbrojmë interesat e republikës së Serbisë dhe të gjithë qytetarëve tanë", ka thënë Brnabiq.

Autoritetet qeverisëse në Kosovë, pa dy partitë më të mëdha opozitare,kanë hartuar platformë dhe kanë miratuar Ligjin për dialogun, ndërkohë që nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bëhet e qartë se vazhdimi i dialogut ndërlidhet me pezullimin e tarifës doganore që u është vendosur importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Që nga nëntori i vitit të kaluar, kur ishte vendosur kjo taksë, Beogradi ka lëshuar bisedimet duke e kushtëzuar kthimin në tavolinë me shfuqizimin e vendimit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat