Konfirmohet: Pronari i Kompanisë “Uji i Pejës” është ndaluar për 48 orë

Aktuale

Konfirmohet: Pronari i Kompanisë “Uji i Pejës” është ndaluar për 48 orë

Më: 8 mars 2019 Në ora: 22:02
Pamje nga vendi i ngjarjes

Lidhur me aksidentin e djeshëm në Gjilan ku humbi jetën një person dhe u lënduan 26 të tjerë, është ndalur për 48 orë pronari i Kompanisë “Uji i Pejës”.

Nga Prokuroria në Gjilan kanë bërë të ditur se ai është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Mbikëqyrje e pandërgjegjshme e trafikut publik”.

“Pronari është ndaluar për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik, nga neni 381, paragrafi 2 të KPRK”, ka thënë Liridona Xheladini nga Prokuroria e Gjilanit.

Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar edhe kryeprokurorin e Gjilanit, Jetish Malokun, i cili ka thënë se për shkak të ndjeshmërisë së rastit po kursehen nga deklaratat publike dhe po merren me sigurimin e fakteve.

Derisa ka konfirmuar se ende qëndrojnë dyshimet e para se aksidenti është shkaktuar për shkak të problemeve teknike të kamionit.

Ndërkohë, për aksidentin e rëndë që e shkaktoi dje një kamion i Kompanisë “Uji i Pejës”, Prokuroria sot njoftoi se ka paraqitur kërkesë për paraburgim të shoferit të kamionit.

“Dyshohet që i dyshuari M.A., për shkak të problemeve teknike të kamionit – mosfunksionimi i sistemit të frenimit, gjatë drejtimit të kamionit, pronë e SH.P.K. ‘VEV GROUP’ – Prishtinë, e ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, ashtu që duke lëvizur në drejtim të qendrës së qytetit, fillon t’i rritet shpejtësia e lëvizjes dhe fillimisht tek hyrja e stacionit e godet një automjet, i cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, pastaj tek dalja e stacionit e godet mbrapa automjetin tjetër, i cili ishte duke lëvizur para tij, të cilin e shtyn deri tek vendkalimi për këmbësorë në trotuar, afër furrës ‘Çoçaj’, ku aty i godet dy të dëmtuar, të cilët ishin duke ecur në trotuar, me ç’rast në mesin e tyre ishte edhe tani i ndjeri Q.Ç., i cili për shkak të lëndimeve të pësuara, në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë”, njofton Prokuroria Themelore e Gjilanit.

Pastaj, sipas Prokurorisë, i njëjti ka vazhduar në të njëjtin drejtim duke goditur edhe automjete tjera dhe në fund godet një traktor i cili ishte kyçur në rrethrrotullim, duke përfunduar në trotuar, përballë hotelit ‘Kristal’.

Si pasojë e kësaj, përpos lëndimeve të natyrës vdekjeprurëse, lëndime të lehta kanë pësuar 23 persona, kurse lëndime të rënda trupore kanë pësuar 3 persona, të cilët edhe janë transferuar në QKUK, në Prishtinë.

Ndërkohë, pas aksidentit tragjik, gjatë ditës së djeshme reagoi edhe Kompania “Uji i Pejës”.

Ata kanë thënë se kamioni ka pasur të gjitha kontrollet e nevojshme dhe se kanë kryer të gjitha testet e duhura.

Poashtu, përmes kësaj shkrese ata kanë thënë se e kanë përjetuar rëndë këtë aksident, ku edhe i kanë shprehur ngushëllime familjes së Qerim Çoqaj, derisa të lënduarve u kanë uruar shërim sa më  të shpejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat