Vetëvendosje paralajmëron protesta

Aktuale

Vetëvendosje paralajmëron protesta

Më: 9 mars 2019 Në ora: 08:17
Protestat e VV

Kuvendi i Kosovës dje në një seancë të jashtëzakonshme ka miratuar platformën për dialogun, platformë të cilën e kundërshtoi Opozita.

Deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë për Telegrafin se këtë platformë do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne e kemi kundërshtuar edhe rezolutën e votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe projektligjin për dialogun, dhe jemi duke punuar me intensitet të lartë për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo pasi që pjesë të konsiderueshme të këtij ligji bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe natyrisht edhe platformën e konsiderojmë si të papranueshme për faktin se në asnjë rast ajo platformë nuk garanton se territori i Republikës së Kosovës do të jetë i panegociushëm”, ka thënë ajo.

Haxhiu theksoi se njohja nga Serbia do të duhej të jetë parakusht për të hyrë në negociata.

“Për Vetëvendosjen është e papranueshme të flitet për njohjen nga Serbia në fund të gjithë procesit. Njohja duhet të jetë si parakusht për të hyrë në negociata me Serbinë. Edhe njohja, edhe kërkim falja, edhe kthimi i të pagjeturve, do të duhej që të ishin parakusht apo kërkesa të shtetit të Republikës së Kosovës kundrejt Serbisë para çfarëdo raundi të bisedimeve. Pra ne si Vetëvendosje e kundërshtojmë këtë”, është shprehur ajo.

Ndër të tjera deputetja Haxhiu ka paralajmëruar edhe protesta për këtë platformë, duke thënë se nuk e shohin vetëm Gjykatën Kushtetuese institucion ën të cilin do ta bëjnë kundërshtimin për këtë platformë.

“Ajo çfarë ka bërë Kuvendi i Republikës së Kosovës dje ishte një ndihmesë apo një tendencë për ta shquar dëshirën e Hashim Thaçit në aventurën e tij të rrezikshme për shkëmbimin territorial. Natyrisht që ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, por në asnjë moment nuk e shohim Gjykatën Kushtetuese si të vetmin institucion ku ne mund ta bëjmë kundërshtimin tonë të radhës, për shkak se duke parë situatën aktuale ne jemi të bindur që protestat dhe demonstratat janë të domosdoshme . Prandaj ne do t’i kundërshtojmë këto projekte të rrezikshme qoftë me protesta”, ka theksuar ajo.

Haxhiu e pyetur për datën e protestës ka thënë se këtë e vendosin organet e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ju e mbani mend protestën e 29 shtatorit që ka qenë masive e qytetarëve të Kosovës, pra qytetarët me rezistencën e tyre në këtë protestë të vitit të kaluar e kanë bërë të qartë që janë kundër pazareve të Hashim Thaçit . Fillimisht nëse në atë kohë kemi thënë se një popull nuk i nënshtrohet një njeriut , tash po i bije që një popull nuk i nënshtrohet një ekipi. Prandaj ne jemi të bindur që ka gatishmëri të qytetarëve të Republikës për të protestuar kundër projekteve të rrezikshme që po i kanosen vendit. Në anën tjetër natyrisht që data e protestës merret nga organet e Vetëvendosjes. Unë mund të them që jemi të gatshëm për të protestuar dhe nëse shkon kështu siç është duke shkuar situata, protestat janë të pashmangshme, të domosdoshme”, ka deklaruar Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat