Thaçi për 3 vjet ndau gati 700 dekorata, analistët: Ky është tentim për të rritur besueshmërinë ndaj tij

Aktuale

Thaçi për 3 vjet ndau gati 700 dekorata, analistët: Ky është tentim për të rritur besueshmërinë ndaj tij

Më: 9 mars 2019 Në ora: 19:31
Hashim Thaçi

Ishte dekorata e parë që Behgjet Pacolli e kishte ndarë si president i Kosovës dhe kishte mbetur e fundit.

Ai kishte nderuar me çmimin “Ambasador Nderi” legjendën e futbollit gjerman, Franc Beckenbauer, raporton ktv.

Megjithatë, presidentët paraprakë e pasues, nuk janë kursyer në ndarjen e dekoratave.

Listës i prin presidenti aktual, Hashim Thaçi, që nga betimi tre vjet më parë, ka ndarë gati 700 dekorata.

Sipas listës së publikuar në ueb-faqen presidenciale, e përditësuar në fund të vitit 2018, Thaçi ka ndarë hiç më pak se 657 dekorata, ku përfshihen medalje, tituj, urdhra e mirënjohje.

Pas Thaçit, në listë vjen ish-presidentja Atifete Jahjaga, por Jahjagës që t’i ndajë 550 dekorata, i janë dashur 5 vjet.

Ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, ishte njëri prej presidentëve më duarshtrënguar kur bëhet fjalë për dekorata.

Pavarësisht se shumë personalitete të vendit ia kishin refuzuar Medaljen e Pavarësisë presidentit Thaçi, Sejdiu e kishte pranuar një të tillë, ndërsa nuk komenton shumë kur pyetet për numrin dekoratave të presidentit aktual.

Por, analisti Krenar Shala, mendon se Presidenti Thaçi, përmes dekoratave, tenton të rrisë besueshmërinë në figurën e tij.

Ndarja e dekoratave, nga Thaçi ka vazhduar edhe në muajt e vitit 2019, ku nuk përjashtohen edhe këngëtarë, gazetarë, emisione televizive e kreatorë të modës.

Presidenca nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga televizioni për të kuptuar arsyetimet që janë ndarë disa prej dekoratave të fundit.

E në njoftimet e publikuara në rrjete sociale, nuk kanë munguar komentet komike, si në rastin kur një prej komentuesve i kërkon një medalje, me arsyetimin se ia pëlqen të gjitha postimet presidentit.

Në mesin e mijëra dekoratave që janë ndarë, ka edhe personalitete që janë dekoruar më shumë se një 1 herë, siç është rasti me ish-kryeadministratorin, Bernard Kouchner.

Ish-presidenti Rugova, në vitin 2004 ia kishte ndarë atij Medaljen e Artë të Lirisë, ish-presidentja Atifete Jahjaga e kishte nderuar me Medaljen Humanitare “Nëna Terezë”, dhe i fundit, presidenti Thaçi, Medaljen jubilare të 10-vjetorit të pavarësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat