‘Shqiptarët do ta fitojnë të drejtën e vetëvendosjes’

Aktuale

‘Shqiptarët do ta fitojnë të drejtën e vetëvendosjes’

Më: 10 mars 2019 Në ora: 18:39
Mahmut Bakalli

Politikani nga Kosova Mahmut Bakalli në një intervistë dhënë për gazetaren Dijana Toska në vitin 1995 shpreh pikëpamjet e tija rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Është vetë gazetarja Dijana Toska, e cila përmes një postimi në Facebook rikujton pjesë të asaj interviste, shkëputur nga libri “Maqedonia në Gazetarinë Time”.

Në këtë intervistë, Mahmut Bakalli, tashmë i ndjerë, tregon se cila duhet të jetë pozita e Kosovës në të ardhmen, por edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës, atyre në Mal të Zi dhe Maqedoni.

Intervista e plotë:

Shkup, maj 1995

D. T.: Zoti Bakalli, si mund të zgjidhet liria njerëzore e kombëtare e kombit shqiptar në përgjithësi në ish-Jugosllavi?

- Mbrojtja e mirëfilltë e të drejtave dhe e lirive të njeriut në Kosovë është e pandashme nga zgjidhja e drejtë e pozitës së kombit shqiptar në ish-Jugosllavi. Pikënisja e zgjidhjes së drejtë dhe parimore e pozitës së kombit shqiptar dhe lirisë së tij, duhet të jetë e drejta e tij për vetëvendosje, njohja dhe përkrahja e angazhimit të tij për zgjidhje politike paqësore të çështjeve pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe deklarimi demokratik plebishitar i popullit shqiptar për republikën e pavarur dhe neutrale të Kosovës, për pozitën plotësisht të barabartë të popullit shqiptar në Maqedoni me popullin maqedonas, për autonomi politiko-territoriale të shqiptarëve në Mal të Zi dhe në tri komunat shqiptare në jug të Serbisë - Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kjo do të ishte zgjidhje për lirinë njerëzore e kombëtare të kombit shqiptar në ish-Jugosllavi, për zhvillimin demokratik dhe prosperitetin e tij, garanci për mbrojtje më të sigurt të të drejtave dhe lirive të njeriut. Njëkohësisht, do të ishte faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe do të hapte shtigje për integrime të reja demokratike në kuadrin e integrimeve evropiane.

D. T.: A mendoni se këtë zgjidhje do ta përkrahte faktori ndërkombëtar?

- Kjo rrugë e zgjidhjes së pozitës së kombit shqiptar është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, me parimin universal për të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe me parimin e mosndryshimeve me dhunë të kufijve ekzistues.

Autonomia e Kosovës, me kushtetutën jugosllave të vitit 1974, ishte pjesë konstituive e Federatës Jugosllave dhe, ndonëse ishte edhe në përbërje të Serbisë, ndante përgjegjësinë dhe fatin me Federatën.

Me rrënimin e ish-Federatës Jugosllave, Kosova, njësoj si të gjitha njësitë tjera, që me të përbënin atë Federatë, duhej të deklarohej vet se çfarë organizimi dëshiron.

Ndërkaq, populli shqiptar, i cili përbën mbi 90për qind të banorëve të Kosovës, është deklaruar se dëshiron pavarësinë e vet në formë të Republikës së Kosovës. Atë të drejtë, aspiratë dhe deklarim të vullnetit politik të popullit shqiptar të Kosovës, Serbia me dhunë e hodhi poshtë, me dhunë ia suspendoi Autonominë dhe tani, prej vitit 1989 , Kosovën e sundon me fuqinë policore e ushtarake, duke e vënë popullin shqiptar në pozitë të aparteidit.

Pra, pikëmbështetja e sundimit të Serbisë me Kosovën dhe shqiptarët është vetëm me argumentin e forcës, të cilën tenton ta racionalizojë me mite dhe me makinerinë e propagandës së vet.

D. T.: Z. Bakalli, deklarimin për pavarësimin e Kosovës, Serbia po e trajton si thyerje të integritetit dhe të sovranitetit të saj?

- Duke insistuar në aplikimin e parimit të vetëvendosjes për pozitën e kombit shqiptar në ish-Jugosllavi, parim i cili nuk do të bie ndesh me parimin e mos ndryshimit me dhunë të kufijve ekzistues, ne mendojmë se po ky parim duhet të aplikohet edhe në zgjidhjen e drejtë të çështjes serbe, kroate, boshnjake, malazeze, maqedonase. Shkalla e Autonomisë së Kosovës, me kushtetutën e vitit 1974, ishte e tillë, që pa vendimin e Kuvendit të Kosovës nuk mund të ndryshoheshin kufijtë dhe statusi kushtetues juridik i Kosovës.

Madje, edhe në vitin 1945, në kushtet e rënda të administrimit ushtarak me Kosovën, Kuvendi i Kosovës, bazuar në të drejtën e vetëvendosjes, ishte në pozitë që të deklarohet që Kosova, si njësi e posaçme, t’i bashkohet Serbisë, por edhe këtë e ka bërë me kushte të ekzistencës së Federatës Jugosllave.

Me shpërbërjen e asaj Federate, ai deklarim, që Kosova të jetë në Serbi, më nuk ka vlerë. Prandaj, deklarimi për pavarësimin e Kosovës nuk është thyerje e integritetit legal të Serbisë dhe e kufijve të saj. Përkundrazi.

Serbia, me vendimin e vet jo kushtetues, me veprimin e vet me dhunë, suprimoi Autonominë dhe integritetin e Kosovës, suprimoi Kuvendin dhe të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës dhe instaloi pushtetin e vet okupues, i cili përdorë masat drakonike represive ndaj popullit shqiptar “me vrasje, rrahje dhe tortura brutale, burgosje masive, gjykime të montuara politike” etj.

Gati çdo shqiptar u trajtua nga policia, me përjashtime masive nga puna, me nxjerrje me dhunë nga banesat, me mbylljen e Universitetit dhe të shkollave në gjuhën shqipe, me mbylljen e institucioneve kulturore dhe shkencore të shqiptarëve, me mbylljen e RTP-së në shqip dhe të disa gazetave shqiptare, me nxjerrjen e programeve për kolonizim të Kosovës me popullatë serbe, nxitjen e shpërnguljeve masive dhe të eksodit të shqiptarëve nga Kosova, etj.

D. T.: Pse po trajtohet me kaq ngulm kombi shqiptar si pakicë?

- Kombi shqiptar në pjesët e veta të ish-Jugosllavisë nuk është dhe nuk mund të trajtohet pakicë kombëtare, prandaj shqyrtimi i pozitës dhe çështjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi nuk mund të reduktohet në kuadrin e mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare dhe të drejtave dhe lirive të njeriut, por statusin e kombit shqiptar duhet zgjidhur dhe garantuar mbi baza të pozitës së popullit të lirë dhe të barabartë me popujt e tjerë, me të cilët konstituonte ish-Federatën Jugosllave.

Kombi shqiptar në ish-Jugosllavi nuk mund të jetë me asnjë kriter ”pakicë kombëtare” sepse shtrihet në një territor kompakt, në trevat e veta etnike, si një ndër popujt më të vjetër të Ballkanit, që ka jetuar në këto treva, e jo si popull nomad, i ardhur dhe i vendosur në enklava. Kësaj duhet shtuar se kombi shqiptar është padrejtë i ndarë gati përgjysmë pas luftërave ballkanike, popull i cili ishte numerikisht i treti për nga madhësia në ish-Jugosllavi. Si mund të trajtohet, pra, populli shqiptar në ish-Jugosllavi si “pakicë kombëtare”?

D. T.: Mos po llogaritet në ekzistimin e një shteti shqiptar, z.Bakalli? 

- Fakti se ekziston shteti shqiptar në Republikën e Shqipërisë, si shtet i gjysmës së kombit shqiptar, nuk mund të jetë hendikep për lirinë e plotë dhe shtetësinë e gjysmës tjetër të kombit shqiptar në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

Republika e shpallur e Kosovës nuk është pretendim për ndonjë shtet të ri shqiptar në Ballkan, për një shtet civil i të gjitha kombeve të barabarta dhe i të gjithë qytetarëve të Kosovës, ku do të garantohen të drejtat kombëtare dhe njerëzore dhe të gjitha vlerat civilizuese, shpirtërore, religjioze dhe historike të të gjithë popujve të Kosovës. Kusht që shqiptarët e Kosovës, d.m.th 90për qind të banorëve, t’i jetësojnë këto të drejta, është që Kosova të jetë e pavarur si Republikë, sepse sundimi i Serbisë mbi Kosovën do të thotë gjithsesi robërim i kombit shqiptar, i cili shpie kah gjenocidi kombëtar, rrezik i cili për popullin shqiptar në ish-Jugosllavi, nuk është vetëm hipotetik, apo vetëm virtuel, por real, e elementet e të cilit po zbatohen dhe përjetohen edhe sot.

Prandaj, ngelja e më se dy milionë shqiptarëve të Kosovës nën sundimin e Serbisë, apo çfarëdo lloj autonomie nën sundimin e Serbisë, respektivisht ngelja e popullit shqiptar në status të ”pakicës kombëtare” në Maqedoni, nuk mund të sigurojë lirinë dhe dinjitetin kombëtar dhe njerëzor të shqiptarëve.

D. T.: Si të zgjidhet, atëherë, pozita e kombit shqiptar, sipas Jush? - Të gjitha këto çështje të hapura të pozitës së kombit shqiptarë në ish Jugosllavi duhet dhe mund të zgjidhen me metoda paqësore, me negociata dhe dialog politike mes palës shqiptare dhe asaj serbe, mandej me palën maqedonase dhe me palën malazeze, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtarë.

Kusht për negociata në mes të të barbarëve është ndalja e represioneve serbe ndaj popullit shqiptar, tërheqja e forcave të mëdha policore dhe ushtarake nga Kosova, si dhe mbikëqyrja ndërkombëtare apo çfarëdo lloji i protektoratit ndërkombëtarë, përderisa nuk arrihen marrëveshjet. Për hir të angazhimit më të suksesshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, propozoj që në mekanizmat politike evropiane, OSBE ose edhe ato botërore, nisur nga realiteti i ri i lindur në decenien e fundit me ndryshimet e mëdha në Evropë dhe në botë, në kuadrin e rendit të ri botëror, me qëllim të zgjidhjes së drejtë dhe optimale të shumë çështjeve, të evitimit të krizave, të hapjes së shtigjeve të reja të lirisë, demokracisë dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, të rishqyrtohen dhe të ridefinohen më afër dy çështje: 

E para: të ridefinohet çështja e pakicave kombëtare për ato kombe në Evropë, siç është rasti i kombit shqiptar në ish-Jugosllavi, i cili nuk mund të përfshihet në kategorinë e “pakicave kombëtare” dhe,  E dyta: Çështja e parimit të vetëvendosjes së popujve dhe mundësia e ndryshimeve paqësore, me marrëveshje të kufijve ekzistues, ose relativizimi i rolit të kufijve, të cilët në të ardhmen nuk do t’i ndanin dhe nuk do t’i izolonin njerëzit dhe popujt. 

Populli shqiptar në Kosovë dhe në tërë ish-Jugosllavinë ndoshta është shembulli më tipik i verifikuar se pa sovranitetin e vet kombëtar, nuk mund të realizojë kurrfarë të drejtash dhe lirish burimore kombëtare, nuk mund të realizojë, pra, as të drejtat më elementare njerëzore.

Pikërisht për këtë, populli shqiptar është i vendosur për liri dhe vetëvendosje dhe, me të drejtë, pret mirëkuptim dhe përkrahje të forcave demokratike të popujve të ish-Jugosllavisë, të Evropës dhe të botës, si dhe të institucioneve ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat