Simbolika e një nënshkrimi: Pse në Kumanovë

Aktuale

Simbolika e një nënshkrimi: Pse në Kumanovë

Më: 11 mars 2019 Në ora: 09:11
Pamje nga marrëveshja e Kumanovës

Njëzet vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, serbët kanë “zbuluar” simbolikën e vendit të nënshkrimit të saj.

Marrëveshja ushtarako-teknike në Kumanovë, i dha fund dhunës serbe në Kosovo, si një parakusht për ndaljen e bombardimeve 78-ditëshe të NATO-s mbi caqet strategjike serbe.

Me këtë marrëveshje, Serbia detyrohej të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATOS dhe RFJ-së, e nënshkrua më 9 qershor 1999, hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Atë e nënshkruan Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkovic, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.

Gazeta serbe “Telegraf” pyet pse mu Kumanova, përkatësisht baza ushtarake franceze afër Kumanovës, meqë Maqedonia tashmë nuk ishte pjesë e Jugosllavisë së mbetur dhe as e përfshirë në asnjë mënyrë në konfliktet luftarake në luftën e Kosovës?

Këtë, shkruan më tej gazeta, nuk do ta pranojnë as në Bruksel, Berlin apo Uashington, por as nuk do ta mohojnë. Sipas gazetës, kjo ka të bëjë me betejen e Kumanovës, të zhvilluar 107 vite më parë.

Duhet të përkujtojmë se në Kumanovë, prej 23 deri më 24 tetor 1912, në Luftën e Parë Ballkanike, ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e Luftës Balkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.

Nëse këtu ka pasur vërtetë ndonjë simbolikë, atëherë do të duhej të jetë kjo: po kthehet ajo që dikur e keni marrë me dhunë.

Gazeta serbe nuk e thotë këtë, vetëm e quan “të dhimshme” këtë simbolikë, bën të ditur se orekset pushtuese serbe nuk janë shuar, ndaj shkruan se “Serbia nuk heq dorë nga Kosova dhe në ia vë veshin kësaj simboilke të imponuar”. por se “lufta për sovranitetin de jure mbi krahinën tonë jugore, për të cilën kemi mbështetje një pjese të madhe të publikut botëror, edhe më tej vazhdon”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat