Fshati serb i Shtërpcës me 23 shtëpi e 80 fëmijë

Aktuale

Fshati serb i Shtërpcës me 23 shtëpi e 80 fëmijë

Më: 11 mars 2019 Në ora: 11:42
Shtërpca

Një reportazh i publikuar dhe i emetuar në televizionin publik serb për Shtërpcën, jo pa tendenca e paraqet këtë komunë të Kosovës si ekskluzivisht serbe, e cila, thuhet në shkrimin e rts-së, “ende i ruan zakonet e vjetra, kultivon traditën dhe përpiqet të sigurojë të ardhmen e të rinjve”.

Familjet me shumë anëtarë në këtë komunë nuk janë të rralla ndërsa në njërën me 13 anëtarë, një djalë e mban “emrin historik” serb Jug Bogdan, lavdëron shkrimi.

Kori i ri, me besim e këngë, i rrethuar krejtësisht me mjedise shqiptare, “kremton në tokën e të parëve të vet” . Shtërpca ka rreth 4,5 mijë banorë, komuna gjithsej 13,5 mijë dhe ajo është komuna më e madhe e enklavave serbe në Kosovë.

“Po përpiqemi të mbesim gjallë sa më normalisht në rrethana të tilla, në këtë rrethim që jemi. Përpiqemi, sidomos ne që jemi në arsim, që fëmijëve t’ua mësojmë e japim kuptimin e jetës dhe një fije shprese për të ardhmen”, thotë udhëheqësi i korit kishtar “Car Dushan” Аleksandar Spasiq.

Fëmijët dhe të rinjtë janë më të vlefshmit në Shtërpcë dhe në 16 fshatrat e saj. Në fshatin Sushiqe, në 23 shtëpi janë 80 fëmijë dhe ata bëhen më të gëzuarit në ditët e festave dhe të përkushtimeve. Në shtëpinë Stanojkoviq po rriten 13 fëmijë e i nënti, djalë, e ka emrin që këtu vlerësohet shumë.

“Unë quhem Jug Bogdan. Kam vëllezër e motra, gjashtë vëllezër e shtatë motra “, thotë djaloshi dhe shton se kur të rritet ka dëshirë të bëhet peshkop.

Nëna Lilana thotë se ata nuk janë si fëmijët tjerë të cilët çfarë kërkojnë edhe e marrin , por ata hanë atë që u ofrohet. Me rëndësi që të kenë bukë, kjo mjafton për ta.

“Ne kemi mbetur gjallë këtu, kemi pasur edha ato që u thonë sulme. Ka edhe tash, por kemi mbetur gjallë, ne nuk e lëshojmë shtëpinë tonë”, thotë Lilana.

Radovan Stanojkoviq thotë se jeton në paqe ashtu si jetojnë edhe të gjithë të tjerët. “Nuk ka gjë më të mirë se paqja”, thekson ai.

15 kilometra larg nga qendra e skijimit Brezovica, Shtërpca më së shumti shpresa kishte pasur në zhvillimin e turizmit. Por pas pritjes shumëvjeçare për t’u zgjidhur statusi juridik i qendrës turistike, shumë nga banorët i janë kthyer edhe bujqësisë.

Gjatë shtatë vjetëve të shkuara në komunën Shtërpcës, janë ngritur qindra hektarë për kultivimin e mjedrës, është zhvilluar edhe bletaria, por tufat e njohura të bagëtisë së Sharrit ka kohë që janë dhjetë fish më të vogël. Megjithatë, përderisa disa kaherë janë larguar prej këndej, të tjerët janë këtu për t’i ruajtur vatrat e vjetra, përfundon shkrimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat