Ekstremizmi i dhunshëm vazhdon të jetë sfidë për Kosovën dhe rajonin

Aktuale

Ekstremizmi i dhunshëm vazhdon të jetë sfidë për Kosovën dhe rajonin

Më: 13 mars 2019 Në ora: 11:16
Konferenca rajonale me temën “Kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë dhe rajon – Çka tutje?”

(E plotësuar) - Përkundër masave të ndërmarra në luftim të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, ky problem ende nuk është zgjidhur dhe organizata ekstremiste vazhdojnë të jenë aktive veçmas përmes përhapjes së ideologjive të tyre përmes internetit dhe rrjeteve sociale.

Kështu u tha në konferencën rajonale “Kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë dhe rajon – Çka tutje?, organizuar nga Qendra Kosovare për Studime dhe Siguri.

Koordinatori Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, Fatos Makolli u shpreh se luftimi i kësaj dukurie mbetet ende sfidë për institucionet e vendit, ndonëse është prioritet për Qeverinë.

Ai po ashtu tha se sfidë mbetet imunizimi i shoqërisë ndaj ideologjive ekstremiste dhe de-radikalizimi i personave që janë në burgje.

Sipas tij, për shoqërinë kosovare janë kërcënim për sigurinë e Kosovë edhe personat që vijnë nga luftërat në Lindje të Mesme pasi ata dinë të përdorin armë të ndryshme.

Makolli: Kemi ndërmarrë një sërë aktivitetesh me qëllim të parandalimit

“Kemi ndërmarrë një sërë aktivitetesh me qëllim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, si dhe përballjen sa më efikase me luftëtarët e huaj por edhe familjet e tyre që një ditë  mund të kthehen në Kosovë. Përveç ndërtimi të kapacitete operative Kosova ka avancuar edhe në kompletimin e e infrastrukturës ligjore, hartimin dhe amendamentimin e ligjeve që në mënyrë të drejtpërdrejtë e trajtojnë fenomenin e pjesëmarrjes së kosovarëve në konfliktet jashtë  territorit të Kosovës”, ka thënë Makolli.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime dhe Siguri, Florian Qehaja  u shpreh se ekstremizmi i dhunshëm vazhdon ta kërcënojë jo vetëm Kosovën, por edhe gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ndonëse sipas tij ka rezultate konkrete sa i takon vetëdijesimit të qytetarëve për këtë dukuri.

Sipas tij mungon një bashkëpunim rajonal në luftimin e kësaj dukurie shqetësuese dhe kryesisht kjo po bëhet për çështje politike.

Qehaja: Duhet bërë ende punë në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm

“Pavarësisht se ne mendojmë që është bërë punë në drejtim të parandalimit të ekstremizmit në përgjithësi, por sidomos në Kosovë ne mendojmë që rreziku që i kanoset Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor nuk është eliminuar aq më parë që ka indicie për rigrupim të qarqeve të caktuar, pas shpërbërjeve të formacioneve terroriste ISIS, Alnusta  në Lindjes e Mesme , dhe ne mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë vetëdijesim tutje dhe aq më parë të identifikohen potencialet rezistuese në popullatë. Do thotë t’i identifikojmë se çka ka bërë që shumica dërrmuese e popullatës në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor u ka rezistuar këtyre ideologjive”, ka thënë Qehaja.

Gatishmëri për të ndihmuar Kosovën në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm ofroi edhe zëvendës ambasadori në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës, Peter Va nder Bloemen.

Sipas tij, edhe vendi nga vjen ai është prekur nga kjo dukuri ku më shumë se 300 persona të komunitetit mysliman u janë bashkuar grupeve terroriste në Lindje të Mesme.

Bloemen: Ekstremizmi i dhunshëm, dukuri e rrezikshme

“Është me rëndësi të luftojmë ekstremizmin e dhunshëm, sepse është diçka e rrezikshme. Sugjeroj që për këtë rast të ndryshojmë pak në shpirtin e projektit të komuniteteve. Projekti QKSS koncentrohet për shoqëri gjithëpërfshirëse, komunikuese dhe të menduarit kritik dhe kjo e bën prosperitetin e shtyn në nivel më të lartë në shoqëri, kur po them respekt, nuk po them të shtyjmë frikën përmes dhunës, por t’i lëmë ata në komunitete të qëndrojnë dhe të mbesin siç janë”, tha Bloemen.

Në këtë konferencë rajonale u prezantua edhe raporti me titullin “"Thyerja e miteve të ISIS-it- Si të kundërveprohet ndaj narrativës së ISIS-it në Internet? Rasti i shteteve shqipfolëse”, ku del se ekstremizmi i dhunshëm nga ISIS po përhapet përmes rrjeteve sociale.

Image

Në kuadër të këtij raporti thuhej se janë identifikuar mbi 80 persona që janë simpatizues të grupeve ekstremiste, dhe se kundërnarrativa ndaj kësaj dukurie po shpalosin disa imamë përmes rrjeteve sociale, derisa institucionet qeverisëse nuk ofrojnë ndonjë platformë që përçon mesazhe kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Njëra nga hulumtueset në këtë raport, Vesë Kelmendi tregoi se ISIS përmes narrativës politike fetare dhe pozitës së gruas ka arritur të depërtojë edhe në Kosovë.

Kelmendi po ashtu tha se propaganda e përdorur nga ISIS fillon dhe mbaron me brutalitet.

Kelmendi: Pozita diskriminuese është shfrytëzuar nga ISIS

“Propaganda që  e bën ISIS nga monitorimi që kemi arritur me bë fillon dhe mbaron me brutalitet, duke përdorur narrativa si viktimizimi, lufta, mëshira, përkatësia dhe utopia. Përndryshe narracioni që është përdorur së fundmi të cilin ne kemi arritur ta identifikojmë është kjo që dalë duke përdorur disa fjalë si terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, ku ata në një formë ose tjetër kanë filluar të përdorin edhe narrativa e tyre për ata të cilët janë duke i luftuar. Organizata ISIS ka shfrytëzuar në një formë ose tjetër pozitën e gruas që e ka në vendet e rajonit dhe Ballkanit një pozitë mjaft diskriminuese në këtë mënyrë kanë përdorur edhe mesazhe, të cilat kanë targetuar ose portretizuar gratë si viktima. Por gjatë dy vjetëve të fundit ne kemi vërejtur që nga roli viktimizues, të cilën gratë e kanë pasur brenda për brenda lëvizjes si ISIS, ato tashmë janë kthyer si mbrojtëse të umetit”, ka thënà « ajo.

Rekomandimet e dala nga ky raport janë që qeveria në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovë dhe komunitetit të ofrojnë kundërnarrative me kohë ndaj veprimeve të ISIS-it.

Kjo konferencë rajonal u organizuar në kuadër të projektit “Parandalimi dhe luftimi i ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë përmes angazhimit të rinjve dhe komunitetit” i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë Holandeze në Kosovë.

***

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) mbajti sot konferencën rajonale me temën “Kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë dhe rajon – Çka tutje?”, ku u tha se pavarësisht punës së bërë nuk është eliminuar rreziku ndaj kësaj dukurie në shoqërinë kosovare.

Peter Van der Bloemen, zëvendësambsador në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës, tha se edhe nga Holanda mbi 300 persona u janë bashkuar grupeve terroriste. 

Ai ka ofruar gatishmëri të madhe ndaj Kosovës për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm.

Fatos Makolli, koordinator nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Republikën e Kosovës, tha se parandalimi i ekstremizmit është sfidë që duhet ta luftojnë të gjithë bashkërisht.

Makolli tha se me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie Kosova ka ndërmarr një sërë aktivitetesh, ndërsa edhe në aspektin ligjor vendi ynë është fuqizuar. Si sfidë ai përmendi luftimin e këtyre ideologjive në internet dhe në burgje.

Florian Qehaja, drejtori i QKKS-së, tha se me ekstremizëm të dhunshëm kanoset jo vetëm Kosova, por edhe të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. 

Ai shtoi se për shkak të indiceve për rigrupime të tjera në Lindjen e Mesme identifikimi i mekanizmave për parandalim të ekstremizmit të dhunshëm është shumë i rëndësishëm.

Në këtë konferencë u prezantua edhe raporti “Thyerja e miteve të ISIS-it- Si të kundërveprohet ndaj narratives së ISIS-it në internet? Rasti i shteteve shqipfolëse”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat