Haradinaj pas takimit me drejtorin britanik nuk e përmend taksën, thotë se Londra është kundër ndarjes

Aktuale

Haradinaj pas takimit me drejtorin britanik nuk e përmend taksën, thotë se Londra është kundër ndarjes

Më: 13 mars 2019 Në ora: 12:51
Pamje nga takimi

(E plotësuar) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore.

Sipas komunikatës për media nga zyra për informim e qeverisë, Haradinaj, gjatë takimit, e njoftoi Moore, për të arriturat në Kosovë, prioritetet e Qeverisë, për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e rendit dhe ligjit, agjendën integruese të Kosovës dhe përkushtimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

Duke vlerësuar rolin e Mbretërisë së Bashkuar dhënë Kosovës në të gjitha etapat, kryeministri Haradinaj kërkoi vazhdimin e mbështetjes së shtetit britanik për anëtarësimin e  Kosovës në organizata ndërkombëtare.  

“Kosova ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe jemi të përkushtuar për fuqizimin e partneritetit mes të dyja vendeve”, tha kryeministri Haradinaj.

Në këtë takim, Kryeministri Haradinaj gjithashtu ka shprehur qëndrimin dhe përkushtimin e vendit, për arritjen e një marrëveshje finale dhe ligjërisht të obligueshme me Serbinë, që qon në njohje reciproke, në kufinjtë ekzistues.  

 “Votimi i ligjit dhe platformës për dialog në Kuvendin e Kosovës është një tjetër hap i rëndësishëm, që tregon qartë dhe unitetin e institucioneve tona, karshi dialogut”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke falënderuar qëndrimin e Britanisë së Madhe për ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.  

Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, konfirmoi mbështetjen e vendit të tij në të gjitha proceset e rëndësishme dhe në rrugën evropiane të Kosovës.

***

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas takimit me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, ka thënë se kanë biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri përmes një shkrimi në facebook, ka bërë të ditur se Kosova është e përkushtuar për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

“Me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, bashkëbiseduam për zhvillimet politike në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. E vendosur për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon, Kosova është thellësisht e interesuar për arritjen e marrëveshjës finale me Serbinë, në thelb të së cilës qëndron njohja reciproke në kufijtë ekzistues, përfshi kapitullin e tregtisë së lirë”, ka shkruar Haradinaj.

Image

Ai ka thënë se Kosova ka folur me një zë dhe për këtë ka votuar në Kuvend Ligjin dhe Platformën për Dialog, që përfaqëson unitetin e institucioneve tona.

“Mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën dhe qëndrimin e palëkundur në ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”, ka shkruar në fund Haradinaj.

***

Ka nisur takimi mes kryeministrit Haradinaj dhe Drejtorit të Përgjithshëm për Çështje Politike në ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore.

Mediat në këtë takim janë lejuar të marrin vetëm pamje, ndërkaq që nuk është raportuar se do të ketë konferencë për media.

Image

Temë diskutimi e këtij takimi pritet të jetë pezullimi i taksës ndaj Serbisë.

Kjo nënkuptohet edhe nga takimi parprak i Moore me Ekipin Dialogues.

Bashkëkryesuesit e Ekipit Dialogues me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, pas takimit kanë thënë se Britania po kërkon pezullimin e taksës.

Sipas tyre, Moore ua ka bërë të ditur se pa pezullimin e taksës nuk mund të ketë vazhdim të dialogut me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat