Ligji për dialogun nesër dërgohet në kushtetuese

Aktuale

Ligji për dialogun nesër dërgohet në kushtetuese

Më: 14 mars 2019 Në ora: 14:24
Ligji për dialogun nesër dërgohet në kushtetuese

Partitë opozitare, Vetëvendosje dhe LDK, nesër, e premte, do e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për dialogun, i miratuar një javë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Këto dy parti pretendojnë se Ligji ka nene që bien ndesh me aktin më të lartë juridik në vend, e në veçanti neni përmes së cilit e zhbën ligjin për marrëveshje ndërkombëtare, ligj që buron nga Kushtetuta e vendit.

Përveç këtyre dy partive, edhe shoqëria civile mendon se në Ligj ka nene që bien ndesh me Kushtetutën, madje përmendin qysh nenin e parë të këtij Ligji.

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, që njëherësh është edhe kryetare e komisionit për Legjislacion, për KosovaPress thotë se Ligji për dialogun përmban shumë nene që bien ndesh me Kushtetutën.

Përveç se do ta dërgojnë në Kushtetuese, Haxhiu tha se do të kërkojnë edhe masë të parakohshme, që nënkupton që ligji të mos zbatohet derisa të ketë një vendim nga Gjykata Kushtetuese.

Haxhiu: Do të kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese edhe masë të përkohshme

“Ne si Vetëvendosje bashkë me LDK-në të premten do ta dorëzojmë këtë projektligj në Gjykatën Kushtetuese, sepse konsiderojmë që ka nene të shumta që  bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në këtë kuptim do të kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese edhe masë të përkohshme, që nënkupton që Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë që ligji për dialogun të mos zbatohet derisa të kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Po natyrisht jemi duke punuar intensivisht me grupe punuese që i kemi të përbashkëta ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, po na ndihmojnë edhe ekspertë që e njohin këtë çështje, prandaj besoj që deri nesër do të finalizohet dhe pastaj të premten e kemi afatin e fundit zyrtar, sepse sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës 8 ditë i kanë deputetët në dispozicion për të kontestuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese”, thotë ajo.

Deputetët opozitar, Gjykatën Kushtetuese nuk e shohin si opsionin e vetëm për ta kundërshtuar këtë Ligj, edhe protestat e demonstratat janë një opsion që po e shqyrtojnë.

Haxhiu ka thënë se nëse vazhdohet me këtë qasje dhe tendencë për të bërë pazare me territorin e Kosovës, janë të obliguar që të thërrasin edhe protesta për të kundërshtuar, siç ka thotë ajo, njerëzit që janë në gjendje të bëjnë gjithçka vetëm për mbijetesë politike.

Haxhiu: Nga çështja e lex specialis që tentojnë që ta zbehin ligjin për marrëveshje ndërkombëtare

“Ka shumë çështje, ende nuk i kemi finalizuar sepse jemi duke punuar në grupe punuese, por në momentin kur ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese do ta bëjmë publike lëndën që e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Janë shumë çështje, duke filluar nga çështja e lex specialis që tentojnë që ta zbehin ligjin për marrëveshje ndërkombëtare, por edhe nenin 18 të Kushtetutës së Kosovës që derivon ligji për marrëveshje ndërkombëtare që është ligj organik. Këta kanë thënë që ligji për dialogun ka fuqi lex specialis që është mbi të gjitha. Pra, ka një tendencë të vazhdueshme edhe për ta zbehur nenin 18 të Kushtetutës, por edhe ligjin për marrëveshje ndërkombëtare. Në anën tjetër, ndërhyjnë në kompetenca të Kuvendit të Kosovës, të Qeverisë, pra krijon institucione paralele dhe ka edhe çështje të tjera  të cilat jemi duke i finalizuar”, deklaron ajo.

Ndonëse do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, Haxhiu thotë se ata e kanë humbur besimin tek ky institucion, megjithatë deklaron se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet që i kanë në dispozicion për ta kundërshtuar këtë proces.

Në anën tjetër deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, është shprehur i bindur se në tërësi Ligji për dialogun është antikushtetues, pasi sipas tij, provohet që disa kompetenca kushtetuese të merren nga ana e ligjit dhe të transformohen.

Ai deklaron se nuk mundet me ligj të përcaktohet hierarkia institucionale se kush mund të merret me dialog.

Selmanaj: Besojmë fuqishëm që Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë këtë ligj

“Jemi të bindur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë i tillë, do të jetë që ky ligj nuk mund të gjejë zbatim në Kosovë sepse tejkalon kornizat e një ligji i cili do të ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, por jo të shkelë Kushtetutën. Vlerësimi jonë është se ky ligj në tërësinë e vet është antikushtetues edhe në funksion, edhe në atë se si i kanë ndërtuar një ekip negociator, edhe për mandatin e saj, si dhe në atë se me ligj të veçantë nuk mund të merret ose nuk mund të ripërkufizohen detyrat shtesë të cilat nuk janë madje as në kushtetutë. Askush nuk ka të drejtë të merr kompetencat askujt, askush nuk ka të drejtë t’i delegojë kompetencën dikujt tjetër nëse këtë Kushtetuta nuk e thotë... Besojmë fuqishëm që Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë këtë ligj”, thotë ai.

Sa i përket asaj që Vetëvendosja mund të organizojë protesta për ta kundërshtuar këtë Ligj, Selmanaj thotë se si LDK janë të kujdesshëm në hapat që i marrin dhe se në këtë fazë nuk kanë menduar për një formë të tillë të reagimit.

Selmanaj deklaron se LDK është parti që së pari shtjerr të gjitha mjetet institucionale dhe kushtetuese dhe më pas nëse vihet në situatë kur rrugët institucionale nuk kryejnë punë, atëherë ai tha, se i kthehen të drejtës legjitime për të protestuar. 

Se Ligji për dialogun ka nene që bien ndesh me aktin më të lartë juridik në vend e thonë edhe shoqëria civile.

Instituti Demokratik i Kosovës në vazhdimësi ka monitoruar procesin e dialogut me Serbinë dhe pas analizës që i kanë bërë këtij Ligji thotë se ka nene që Kushtetuesja mund t’i kontestojë.

Violeta Haxholli nga kjo organizatë, për KosovaPress deklaron se Ligji për dialogun ka shumë mangësi.

Haxholli: Problematike ne e kemi parë nenin 1 sa i përket hierarkisë institucionale

“Problematike ne sidomos e kemi parë nenin 1 sa i përket hierarkisë institucionale. Pra, ligji tregon se delegacioni shtetëror do të jetë ai që do të udhëheqë me procesin e dialogut, ndërsa do ta bëjë këtë në konsultim me institucionet tjera kushtetuese. Por, ne e dimë se në Kushtetutë politika e jashtme udhëhiqet nga presidenti i vendit, ndërsa Qeveria e propozon dhe e zbaton politikën e jashtme, ndërsa Kuvendi e mbikëqyrë. Prandaj, ne nuk e dimë se si do të gjendet delegacioni  shtetëror brenda kornizave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, çfarë vendi do të ketë dhe është e qartë po ashtu se ky delegacion nuk mund të kontestojë hierarkinë institucionale të përcaktuar me Kushtetutën dhe nuk mund të kontestojë rolet që secili nga institucionet kushtetuese të Republikës kanë sa i përket politikës së jashtme, në këtë pjesë hynë edhe procesi i dialogut”, ka poh uar ajo.

Ajo ka treguar edhe disa mangësi të tjera që në analizën e tyre i kanë evidentuar në këtë Ligj.

Haxholli: Komisionet punuese të cilat i përcakton ky Ligj, çfarë funksioni do të kryejnë ato

“Ligji tregon se do të bëhen konsultime mes delegacionit shtetëror dhe institucioneve tjera kushtetuese, por nuk e shpjegon mënyrën se si do të bëhen këto konsultime. Pastaj, mbesin edhe tre anëtarë të delegacionit shtetëror që ende nuk i janë bashkuar ekipit po parashihen që të jenë pjesë e ekipit. Nuk është e qartë se si do t’i bashkohen ata këtij ekipi, a duhet të shkoj edhe një herë i tërë delegacioni në Kuvend për t’u miratuar  apo si. Do të thotë ka paqartësi se si do të plotësohet delegacioni shtetëror me anëtarët e ri. Paqartësi të tjera të cilat i kemi hasur është edhe në komisionet punuese të cilat i përcakton ky Ligj, çfarë funksioni do të kryejnë ato, si do të angazhohen ekspertët të cilët do të jenë për fusha të ndryshme sa i përket procesit të dialogut”, shprehet ajo.

KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës për pretendimet e partive opozitare se Ligji bie ndesh me Kushtetutën e vendit, por nuk ka marrë përgjigje.

Projektligji për dialogun një javë më parë është votuar në Kuvendin e Kosovës, e në të njëjtën ditë dritën jeshile ka marrë edhe platforma e hartuar nga ekipi shtetëror për dialog. Kujtojmë se partitë në pushtet, me mbështetjen e PSD-së, me vështirësi kanë arritur t’i sigurojnë votat për të kaluar projektligjin dhe platformën, ndërkohë që në votim nuk kanë marrë pjesë as Vetëvendosja dhe as LDK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat