Edhe djali i deputetes së AAK-së punësohet në PTK: Të isha pyet si nënë, kisha thënë në Telekom kurrë jo

Aktuale

Edhe djali i deputetes së AAK-së punësohet në PTK: Të isha pyet si nënë, kisha thënë në Telekom kurrë jo

Më: 14 mars 2019 Në ora: 18:32
Teuta dhe Ilirian Haxhiu

Kohëve të fundit kanë qenë të shpeshta raportimet e medieve për punësimet e familjarëve të  zyrtarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Telekom. Periskopi merr vesh që nga janari valës së këtyre punësimeve iu është shtuar edhe djali i deputetes së kësaj partie, Teuta Haxhiut, Ilirian Haxhiu….

Merret vesh se djali i deputetes Haxhiu iu është bashkuar stafit të punëtorëve të Telekomit në janar të këtij viti.

Kjo ndodhi pikërisht në kohën kur filloi me të madhe punësimi i familjarëve të zyrtarëve të kësaj partie në këtë ndërmarrje publike.

Madje, Iliriani nuk ka hezituar aspak që të bëjë publik angazhimin e tij në këtë ndërmarrje.

Me t’u punësuar në Telekom, ai bëri një publikim në rrjetin social “Facebook” kur tregoi për angazhimin e tij në këtë ndërmarrje.

Ndonëse, nuk tregoi se në çfarë pozite po punon aty.

“Po të isha pyet së pari si një nënë, kisha thanë në Telekom jo kurrë. Kjo kompani ka nevojë me u rimëkëmb. Por, Iliriani është një nga katër fëmijët e mi që janë të moshës madhore. Jo vetëm që nuk kam ndikuar, por po e them që me dëshirën më të madhe nuk kisha dashur ta shoh të punësuar aty”, ka thënë Haxhiu për Periskopin.

Ajo ka folur edhe për kritikat që shpërthyen kohëve të fundit ndaj zyrtarëve të partisë së saj, për punësimin e familjarëve në Telekom.

“Unë i shoh të arsyeshme kritikat sepse me të vërtet Kompania ka nevojë për rimëkëmbje, pasi dikur ka qenë kompani që e ka mbush buxhetin e Kosovës. Tanimë ajo nuk është në gjendje të mirë. Iliriani po i bon 25 vjet. Nuk ka qenë dëshirë e imja që ai të fillojë punën në këtë kompani”, ka përsëritur edhe njëherë tjetër Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat