Hoxha: Gjuriq po bën politikë, presim arrestimin e Radojçiqit

Aktuale

Hoxha: Gjuriq po bën politikë, presim arrestimin e Radojçiqit

Më: 15 mars 2019 Në ora: 16:33
Oliver Ivanoviq

Vetë e pranuan se Oliver Ivanoviqin kanë mundur ta vrasin serbët, e tash hedhin akuza ndaj liderëve kosovarë për këtë krim. Në një reagim ndaj deklaratave të Marko Gjuriq, Sylë Hoxha nga Prokuroria Speciale thotë se nuk merren me deklarata politike dhe se janë duke kryer hetime. Hoxha ka thënë se po pret nga Policia e Kosovës ta arrestojë Milan Radojçiqin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyre serbe për Kosovën”, Marko Gjuriq, pretendon se pas vrasjes së liderit serb në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, qëndron presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Këtë e ka thënë Gjuriq, duke u mbështetur në informacionin e “saktë” të marrë nga organet hetimore serbe.

Prokurori Special, Sylë Hoxha, ka thënë për express se Prokuroria është duke kryer hetime dhe po presin rezultat nga policia për kapjen e Milan Radojçiqit. E për këto deklarata të liderëve serbë, ai tha se janë politike.

“Këto deklarata janë politike. Ne jemi duke kryer hetime dhe nuk merremi me këto deklarata politike”, ka thënë Hoxha.

Ai tha se, pas lëshimit të urdhërarrestit për Milan Radojçiqin, tash po presin rezultat nga Policia e Kosovës.

“Milan Radojçiq ka urdhër arrest, po presim rezultate prej policisë”, ka thënë prokurori.

Si vendasi i tij, nuk ka menduar edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ai për pak ishte në gjendje ta pranojë se vrasjen e Oliver Ivanoviqit e kanë kryer serbët. Madje, kishte thënë se kur të zbulohet e vërteta, serbët do të tronditen.

Në janar të këtij viti, Vuçiq për herë të parë e kishte pranuar se Oliver Ivanoviqin ka mundur ta vrasë një serb, por këtë e kishte lënë me kaq, sepse kurrë nuk foli më për këtë rast.

Në anën tjerët, Kosova, tashmë ka nisur hetime dhe ka kryer arrestime lidhur me këtë rast. I dyshuari kryesor për këtë vepër është Milan Radojçiq, i cili është në arrati.

Në nëntor të vitit të kaluar, Kosova kishte arrestuar Dragisha Markoviq, pjesëtar i Policisë së Kosovës, Sasha Gjuriq, Marko Rashiq, Neselko Spasojeviq, gjithashtu pjesëtar i PK-së.

Por, nuk arriti të kapej edhe Milan Radojçiq, i cili ende po kërkohet nga Kosova pasi akuzohet për këtë krim.

Oliver Ivanoviq u vra më gjashtë plumba, mëngjesin e të martës së 16 janarit, derisa po shkonte me këmbë në zyrën e partisë së tij SDP në veri të Mitrovicës.

Ivanoviq, menjëherë pas lufte u bë politikani serb më i pranueshëm nga shqiptarët e Kosovës. Me vite të tëra, serbi i lindur në Deçan, habiste shqiptarët dhe serbët në të njëjtën kohë, deri kur ndaj tij,  EULEX ngriti aktakuzën për krime lufte dhe vrasjen e 49 shqiptarëve, përfshirë 20 viktimat e lagjes së Kovaçëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat