“Delegacionit Shtetëror për dialogun i mungon legjitimiteti”

Aktuale

“Delegacionit Shtetëror për dialogun i mungon legjitimiteti”

Më: 17 mars 2019 Në ora: 22:32
Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti

Sipas tyre, një ekip i tillë nuk i përfaqëson interesat e qytetarëve dhe nuk mund të vendos për kurrfarë marrëveshje. Kjo pasi që me Kushtetutë janë të parapara kompetencat e secilit institucion.

Jokushtetues, jopërfaqësues dhe aksidental konsiderohet Delegacioni Shtetëror për dialogun me Serbinë, nga ana e njohësve të së drejtës kushtetuese dhe përcjellës të zhvillimeve politike në vend.

Sipas Nezir Krakit, ligjërues në Universitetin e Parisit, një ekip i tillë nuk mund të vendos në emër të qytetarëve të Kosovës dhe për këtë përmend edhe emra konkret.

“Vetëm një emër ta përmend, kur në ekipin e dialogut gjendet për shembull edhe Dardan Gashi, i cili edhe postin që e mban e ka përmes shitblerjes së votës së çikës së Ibrahim Rugovës. Kështu që për fatin e dy milionë njerëzve, për mundin dhe përpjekjet njëshekullore të këtyre njerëzve, nuk mund të vendos një grup aksidental”, tha Kraki për Radio Kosovën.

Ndërsa profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se në Kushtetutë parashihen qartë të gjitha kompetencat e secilës shtyllë të pushtetit.

Prandaj, ai thotë se nuk mundet një akt më i ulët, siç është ligji, të dal mbi Kushtetutë, siç po ndodhë tani.

“Me një akt më të ulët, me fuqi juridike më të ulët dëshiron ta përfaqësosh vendin, ndërkohë që me Kushtetutë i ke detyrat e parapara se kush çka duhet të bëjë dhe me Kushtetutë është paraparë që qeveria duhet të lidhë marrëveshje ndërkombëtare dhe ta përfaqësojë vendin në kuptimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Baraliu për Radio Kosovën.

Përveç kushtetutshmërisë, sipas Baraliut, këtij delegacioni i mungon edhe legjitimiteti.

E sipas Artan Muratit nga Instituti Demokratik i Kosovës, përveç këtyre, edhe qasja e Bashkimit Evropian ndaj këtij delegacioni, është një tjetër problem.

“E kemi parë nga e kaluara, që BE-ja nuk është se e ka mirëpritur ose ka qenë shumë krahëhapur për takimet me delegacionin shtetëror dhe është shumë pikëpyetje se çka do të përfaqësojë ky delegacion dhe cilat do të jenë sukseset e tij, ose si do të mund ta përmirësojë dialogun me Serbinë”, tha Murati.

Delegacioni Shtetëror për dialogun me Serbinë konsiderohet jokushtetues edhe nga opozita, përkatësisht nga LDK-ja dhe Vetëvendosje, të cilat nuk janë përfshirë në këtë ekip.

Këto dy subjekte madje e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese edhe Ligjin për dialogun, i miratuar një javë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Këto dy parti pretendojnë se Ligji ka nene që bien ndesh me Kushtetutën e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat