Ka ngecje në zbatimin e ligjit për barazi gjinore

Aktuale

Ka ngecje në zbatimin e ligjit për barazi gjinore

Më: 19 mars 2019 Në ora: 12:07
Foto

Kështu u tha në takimin “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë” të Rrjetit të Grave të Kosovës, ku u theksua se fuqizimi i vajzave dhe grave do të thotë fuqizim i tërë shoqërisë.

Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, tha se lobi i grave gjatë këtyre viteve ka realizuar shumë takime nëpër komuna.

"Ne kemi menduar që të bëjmë një projekt 4-vjeçar. Synimi kryesor është fuqizimi i grave në politikë. Për ndryshim, na duhet të ketë gra në vendimmarrje", tha ajo.

Annette Fath Lihic nga Zyra e Përfaqësueses së Posaçme të BE-së në Kosovë, tha se bashkësia evropiane mbetet e përkushtuar që të ndihmojë në rritjen e përqindjes së grave në politikë. Sipas saj, solidariteti mes grave është thelbësor.

"Falë këtij projekti, sot kemi rezultatet e para që më bënë të lumtur. Kjo është në vazhdim me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, sepse fuqizimi i grave është çështje qenësore. Korniza për barazinë gjinore në Kosovë është formuar mirë, por problemi qëndron te zbatimi. Duhet të shfrytëzoj këtë mundësi që të thërras autoritet kosovare që të mbyllin këtë hapësirë mes zbatimit dhe legjislacionit", tha ajo.

Koordinatorja për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson tha se barazia gjinore ka të bëjë me fuqinë dhe fuqia lidhet me politikën. Ajo tha se duhet të ketë iniciativa për rritjen e kuotave për gratë.

Edhe pse ka kritika ndaj kuotave, ajo u shpreh se kjo i ka dhënë rezultatet e veta. Sipas saj, ka ende rrugë për të bërë për barazinë gjinore.

"Kemi nevojë për më shumë gra në politikë. Në vendet ku kemi gra në politikë, impakti është më i madh. Kur kemi gra në politikë kemi pasur kujdesin për shtëpinë, kujdesin për të moshuarit, pushimin e lehonisë. Mirëpo kjo nuk është vetëm ajo ku gratë janë të interesuara, ato janë të mira në ekonomi, infrastrukturë dhe fusha të shumta tjera. Të mos vijë puna që gratë të zgjedhin të jenë profesioniste ose të kenë familje. Duhet të kombinohen të dyja", u shpreh ajo.

Richardson tha se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, teksa shtoi se shpreson që kjo të ndodhë së shpejti.

"Kosova nuk ka mundur të jetë anëtare e Agjendës 20-30, por në mënyrë vullnetare ka hartuar rezolutën në Kuvend dhe kjo është gjë e mirë sepse caqet e qëndrimeve të qëndrueshme.Do të thotë është një fuqizim. Në agjendë i kemi 17 caqe, dhe të gjithë e fusin fuqizimin e grave në kuadër të tyre”, tha ajo.

Deputetja Mexhide Mjaku-Topalli tha se ky projekt jo vetëm që do të arrijë të lëvizë gjërat që janë në interes për qytetarët, do të arrijë t'i bëjë bashkë të gjitha gratë për të mbështetur njëra-tjetrën.

Duke rritur numrin e grave në poste publike, ajo tha se ndihmohet ndryshimi i opinionit publik me aftësinë e grave për të marrë pjesë në politikë.

"Ndërsa ligji që thotë se gratë duhet të jenë 50 për qind në vendimmarrje nuk është zbatuar. Partitë duhet të respektojnë kuotën, duke mbështetur gratë si udhëheqëse në parti dhe në qeveri. Shoqëria civile dhe mediat duhet të angazhohen për vetëdijesim të qytetarëve për rëndësinë që ka ajo”, tha Mjaku-Topalli

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat