Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar materialin me të gjeturat për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2018, i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, adresimi i veprimeve që dalin nga ky raport për institucionet kompetente.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se qëllimi i kësaj mbledhje është që të gjeturat të elaborohen.
"Propozoj një raportim me etapa tremujore, që të ndodhë në gjysmën e qershorit. Ne mundemi si qeveri që të gjeturat të miratohen sot", tha Haradinaj.
Në këtë mbledhje po ashtu është miratuar edhe propozim vendimi për publikimin e veçantë në formë të shtypur në shkrimin brail të legjislacionit të publikuar në gazetën zyrtare, i përzgjedhur pjesërisht me qëllim te ofrimit të qasjes në informim për personat e verbër.
"Ky propozim -vendim është analizuar pas një kërkese të shoqatave të të verbërve të Kosovës. Republika e Kosovës e ka një kornizë shumë mirë të rregulluar për personat e verbër. Buxheti është paraparë, prandaj ju lus ta votoni", tha Hoxhaj.