Dëshmitari në Hagë kundër kasapit Millosheviq, zbulon detaje të reja nga dëshmia e tij

Aktuale

Dëshmitari në Hagë kundër kasapit Millosheviq, zbulon detaje të reja nga dëshmia e tij

Nga: N.Sh Më: 20 mars 2019 Në ora: 20:56
Liri Loshi

Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Liri Loshi ka zbuluar detaje të reja sa i përket dëshmisë së tij në Hagë, kundër kriminelit dhe kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Loshi thotë se, kur ishte në Hagë, shumë dëshmitarë ishin në gjendje me ndërru dëshminë e tyre të vërtetë për gënjeshtrën.

Ai shton se, gjykatësit janë ekspertë për ta ndarë të vërtetën nga gënjeshtra, sepse vendimi i tyre varet nga dëshmitë e vërteta dhe jo nga gënjeshtrat.

“Për shembull, në Izbicë unë thosha se ishin pushkatuar 127 vetë, sepse ky ishte numri i saktë i të pushkatuarve më 28 mars dhe të gjitha këto viktima i kisha në video dhe në listën e viktimave të bëra nē ditën e varrimit. Emrat e tjerë nuk mund të hynin në listën origjinale, si ata që ishin vrarë disa ditë, javë apo edhe një muaj më vonë dhe natyrisht se nuk mund t’i shtoheshin as videos origjinale! Ata thoshin se janë pushkatuar 147 vetë”, shkruan Loshi në Facebook, transmeton gazeta “Bota sot”.

Ai shton se,problemi ishte se a janë vrarë 127 apo 147, në masakrën e Izbicës, meqë Millosheviqi e mohonte të ketë ndodhur ajo.

“Dhe duke ndërruar numrat ne nuk dilnim të besueshëm sa duhet dhe rrezikonim kredibilitetin e dëshmisë sonë. Ende më duket sikur po e dëgjoj njërin nga deshmitarët kur më thoshte: “Doktor, thuaj 147, se të gjithë ashtu kemi thënë””, shton tutje ai.

Lexojeni shkrimin e plotë:

Kur kam qenë në Hagë si deshmitar kundër Millosheviqit, kam zbuluar një veti tonën shumë interesante. Shumë deshmitarë ishin në gjendje ta ndërronin të vërtetën e tyre të besueshme për genjeshtrën e pa besueshme! Dhe, gjykatësit janë ekspertë për ta ndarë të vërtetën nga genjeshtra, sepse vendimi i tyre varet nga deshmitë e vërteta, jo nga genjeshtrat. Besoni, se e vërteta që disa deshmitarë nuk e thoshin, ishte po aq e tmerrshme dhe e dhembshme sa edhe genjeshtra që pa sukses mundoheshin ta impononin. Për shembull, në Izbicë unë thosha se ishin pushkatuar 127 vetë, sepse ky ishte numri i saktë i të pushkatuarve më 28 mars dhe të gjitha këto viktima i kisha në video dhe në listën e viktimave të bëra nē ditën e varrimit. Emrat e tjerë nuk mund të hynin në listën origjinale, si ata që ishin vrarë disa ditë, javë apo edhe një muaj më vonë dhe natyrisht se nuk mund t’i shtoheshin as videos origjinale! Ata thoshin se janë pushkatuar 147 vetë. Po të isha në Kosovë do t’i inkurajoja deshmitarët ta thoshin vetëm të vërtetën, por nga Kanadaja nuk kisha informacione se dikush i kishte porositur të genjenin. Problemi në gjyq nuk ishte a janë vrarë 127 apo 147, por se a kishte ndodhur masakra e Izbicës a jo, meqë Millosheviqi kategorikisht e mohonte të ketë ndodhur ajo! Dhe duke ndërruar numrat ne nuk dilnim të besueshëm sa duhet dhe rrezikonim kredibilitetin e dëshmisë sonë. Ende më duket sikur po e dëgjoj njërin nga deshmitarët kur më thoshte: “Doktor, thuaj 147, se të gjithë ashtu kemi thënë”!

“E jo, - i thashë, do ta them vetëm të vërtetën që di unë!”

Kur përfundova dëshminë, prokurori (që qëlloi të ishte kanadez) erdhi më takoi dhe më tha: “Faleminderit për deshminë! Ne gjyq fitova përshtypjen se gjykatësit i besuan në tërësi deshmisë tënde.”

Shumë njerëz me kanë thënë se masakra e Izbicës ishte lehtë të deshmohej, sepse krejt bota e dinte se ajo kishte dodhur! Por, nuk ishte ashtu. Për gjykatësit një ngjarje ka ndodhur vetëm atëherë kur provohet në gjyq se ajo ka ndodhur. Lajmi i dhënë në media nuk është provë, pavarësisht pamjeve qē edhe vetë gjykatësit mund t’i kenë parë në televizor.

P.S. Më 28 të këtij muaj bëhen njëzet vite nga masakra e Izbicës ku u pushkatuan 127 vetë. 147 bëhen me ata njëzet të tjerët që u vranë po ashtu nga forcat serbe, por në data tjera pas 28 marsit dhe në rrethana tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat