Reagon vajza e deputetit të PDK-së, pasi u raportua se u punësua nga kjo parti, ja çka thotë

Aktuale

Reagon vajza e deputetit të PDK-së, pasi u raportua se u punësua nga kjo parti, ja çka thotë

Nga: BS Më: 21 mars 2019 Në ora: 20:11
Albulena Xhelili Berisha

Albulena Xhelili Berisha, është vajza e deputetit Fatmir Xhelilit, e cila u akuzua se u ngrit në detyrë në Bankën Qendrore nga ministri Hamza, ndërsa u tha dhe se ajo është një ndër të paktët që marrin dy paga nga shteti, pasi e njëjta punon edhe si asistente në Fakultetin Ekonomik.

Por Znj.Xhelili – Berisha, ka reaguar duke thënë se punësimi dhe avancimi i saj gjatë njëmbëdhjetë viteve të fundit në BQK si dhe angazhimi i saj në Universitetin e Prishtinës, është plotësisht meritor dhe i bazuar në përgatitjen e saj akademike dhe profesionale.

Lexoni postimin e plotë të saj:

Të dashur miq,

Me poshtë gjeni reagimin tim dërguar mediumit KOHA ndaj kronikës së KTV-së “PDK-ja me rrënjë në BQK – asistentja e Veselit, djali i Ismailit e vajzat e Lladrovcit e Xhelilit”

Falsifikimi fluturon dhe e vërteta vjen duke çaluar pas saj, është një thënie e Jonathan Sëift, prandaj me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me kronikën “PDK-ja me rrënjë në BQK – asistentja e Veselit, djali i Ismailit e vajzat e Lladrovcit e Xhelilit” të mediumit KOHA të emetuar me datën 19 mars në lajmet qendrore të orës 19:00, lajm i cili u publikua menjëherë nga ky medium në të gjitha profilet e tij në rrjetet sociale dhe më pastaj u kopjua nga të gjitha portalet e tjera në vend, unë ofroj faktet e mëposhtme.

Në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) kam filluar punën që në vitin 2008. Ngritja në detyrë e cekur në kronikën në fjalë, në pozitën e Drejtorit të Departamentit për Licencim dhe Standardizim, ka qenë në bazë të konkursit të brendshëm ku me kandidatë të tjerë i jam nënshtruar testit me shkrim dhe intervistës.

Konsideroj të nevojshme të sqaroj për opinionin publik që përderisa gazetarja Ardiana Thaçi Mehmeti ka pranuar të gjitha informatat në lidhje me kohën e punësimit si dhe kohët e gradimeve nga BQK, në mënyrë selektive ka vendosur të publikoj vetëm avancimin e fundit në BQK edhe atë pa theksuar se është bërë bazuar në konkurs të brendshëm. Për më tepër, e njëjta në asnjë moment nuk e vlerësoi të arsyeshme të kërkoj prononcim nga unë, përkundër faktit që më vendosi kryefjalë të lajmeve duke deklaruar se e arsyeja pse qenkam avancuar në BQK qenka sepse jam vajza e Deputetit Fatmir Xhelili dhe se mua direkt më avancoi Guvernatori Bedri Hamza.

Prandaj, ju informoj se punësimi dhe avancimi im gjatë njëmbëdhjetë viteve të fundit në BQK si dhe angazhimi im në Universitetin e Prishtinës është plotësisht meritor dhe i bazuar në përgatitjen time akademike dhe profesionale.
• Unë i kam mbaruar studimet universitare në Universitetin e Prishtinës me sukses të lartë, studimet master si studente e dalluar në Universitetin Staffordshire në Angli, dhe studimet e doktoratës gjithashtu në Universitetin Staffordshire në Angli, në kohë rekord duke fituar titutllin Ph.D. në Ekonomi në moshën 28 vjeçare.
• Gjatë 15 viteve të fundit kam fituar 4 bursa shumë konkurruese të bazuara në konkurse publike dhe transparente dhe proces rigoroz selektimi. Këto përfshijnë bursën për studimet posdiplomike nga Open Society Foundation dhe Foreign Commonëealth Office, studimet exchange në shkollë të mesme nga SOROS foundation dhe bursën nga European Young Cell Scheme nga e cila jam tërhequr pas pranimit të bursës tjetër paralele.
• Kam qenë fituese në gara me renome kombëtare e ndërkombëtare si Balkan Case Challenge në mesin e dhjetëra vendeve tjera.
• Gjatë përfaqësimeve të BQK-së në seminare ndërkombëtare si ai Aplied Economic Policy” kam pranuar Letra Ekselence nga organizatorët si Joint Vienna Institute, International Monetary Fund, Ëorld Bank, OECD, etj, në mesin e 30 vendeve të përfaqësuara për çka edhe kam pranuar mirënjohje edhe nga BQK për përfaqësim ekzemplar të saj.
• Kam edhe publikime akademike si rrjedhojë e studimeve të doktoratës, lehtësisht të qasshme online.
• Nuk besoj që në asnjë nga këto, të qenurit vajza e Deputetit Fatmir Xhelili ka qenë faktor kontribuues në përzgjedhjen time. Të gjitha këto dhe shumë tjera kanë mundur dhe mund të verifikohen nga ju dhe të gjithë të tjerët pa asnjë mund, me vetëm një google hulumtim të thjeshtë, për aq kohë sa tu ka dashur për të ma gjetur foton të cilën ma publikove pa leje gjithashtu.

Si një gazetare e cila mbulon fushën e ekonomisë, duhet të jesh e njoftuar që BQK është institucion i pavarur dhe nuk është në kuadër të buxhetit të shtetit, njëjtë siç duhet të jesh e informuar që angazhimi im dhe i kolegëve tjerë të mi në BQK sepse nuk jam e vetmja e as ndër të paktat, në institucione arsimore është plotësisht në përputhje me ligjet në fuqi përkatëse përfshirë atë të BQK-së.

Për fund, e vlerësoj të rëndësishme të cek se ky është reagimi im i parë ndaj lajmeve të tilla tendencioze ku identifikohem pasaktësisht edhe pse ky nuk është lajmi i parë i tillë. Arsyeja pse tash po reagoj është sepse kam kuptuar që kur një lajm është botuar në media bëhet burim informacioni për gazetarët dhe lajmet e ardhshme. Nëse gabimi nuk korrigjohet, përsëritet në mbulimin mediatik në të ardhmen siç ndodhi edhe me mua. Prandaj besoj që ky reagim do të informojë gazetarët në të ardhmen dhe do t’i ndihmojë ata që të mos bëjnë të njëjtin gabim. Edhe pse e vërteta çalon ajo vjen dhe do të shihet edhe nga audienca juaj e synuar, që do të thotë se është thelbësore që ata të marrin informacionin e duhur.

Me respekt,
Albulena Xhelili Berisha

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat