A do të guxojë Aleksandër Lumezi t’i prekë politikanët?

Aktuale

A do të guxojë Aleksandër Lumezi t’i prekë politikanët?

Më: 22 mars 2019 Në ora: 16:38
Aleksander Lumezi

Punësimet e familjarëve të funksionarëve shtetëror e publik në Telekom po shtohen çdo ditë e më shumë. E pikërisht ata që po dyshohet se kanë punësuar familjarë në Telekom, po kërkojnë të mbahet një seancë në Kuvendin e Kosovës. Nga ana tjetër, Kryeprokurori Lumezi thotë se kanë informacione se në këto punësime ka pasur ndërhyrje politike, ndërhyrje familjare madje edhe dhënie të ryshfetit.

Punësimet masive në Telekomin e Kosovës, nga partitë në pushtet, me theks të veçantë nga Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës janë bërë tema më e përfolur ditëve të fundit.

Dhjetëra emra të familjarëve të funksionarëve shtetëror e publikë janë publikuar në media, të cilat janë punësuar në PTK, mbi bazën familjare.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë në një intervistë në televizionin publik se tashmë prokuroria është duke mbledhë informata lidhur me këtë çështje.

Ai ka thënë se kanë informacione se ka shumë ndërhyrje politike, ndërhyrje familjare por edhe korrupsion.

“Ne kemi informacione se ka shumë ndërhyrje politike, ndërhyrje familjare por edhe korrupsion respektivisht dhënie të ryshfetit gjatë procesit të punësimit”, ka thënë Lumezi në televizionin publik.

Lumezi ka konfirmuar se tashmë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale e Departamentin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, kanë nisur grumbullimin e informacioneve lidhur me identitetin e personave të cilët kanë kryer veprën penale gjatë procesit të punësimit.

Për punësimet në Telekom, kanë reaguar edhe organizata dhe Institute të ndryshme në Kosovë.

Instituti për Politika Zhvillimore, Institutit GAP, dhe Balkan Green Foundation, në një reagim të përbashkët kanë thënë se nepotizmi dhe punësimet partiake janë shkelje e ligjit dhe të drejtave të njeriut.

“Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti GAP dhe Balkan Green Foundation i bëjnë thirrje Prokurorisë së vendit, institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të gjithë përgjegjësve për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ligjor që të ndërmarrin masa të menjëhershme në parandalimin e punësimeve të paligjshme e diskriminuese në administratën publike. Më kryesorja, duhen hetuar dhe ndëshkuar individët që kanë shkelur ligjin me rastin e punësimit të militantëve dhe familjarëve të politikanëve”, thuhet në reagim.

Si asnjëherë më parë, Telekomi i Kosovës dhe kompani e institucione të tjera po vershohen me punësime të paligjshme dhe menaxhim të korruptuar.

Reagimi i tyre thotë se punësimi pa kritere dhe me favorizime politike është shkelje e të drejtave të njeriut për të gjithë pjesëmarrësit në konkurse publike.

“Konventa Universale për të Drejtat e Njeriut që ka zbatim të drejtpërdrejtë dhe me prioritet ndaj të drejtës së brendshme të Kosovës, ndalon çfarëdo forme të diskriminimit”, thuhet në reagim.

Gazeta Express ka raportuar edhe për punësimet në ndërmarrje publike, të cilat janë kthyer në derë punësimi për familjarët e politikanëve.

Në mesin e familjarëve të politikanëve që janë rehatuar në këto institucione janë edhe dy djemtë e deputetit nga radhët e AAK’së, Muharrem Nitajt. Njëri në “Telekom”, e tjetri në “Pastrim”.

Por, Nitaj ka mohuar të ketë ndikuar në punësimin e djemve. Ai ka thënë se asnjë nga këto punësime nuk janë bërë në baza partiake.

Genc Nitaj u punësua më 28 gusht të vitit të kaluar, si zyrtar i marketingut në Telekom, ndërsa së fundi vend në një ndërmarrje publike ka zënë edhe djali tjetër, Egzoni. Ai është punësuar si IT në Kompaninë Rajonale “Pastrimi”.

E se djali i Nitajt është punësuar në këtë pozitë, këtë e ka konfirmuar edhe kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Burim Kelmendi.

Ndryshe djali i Muharrem Nitajt, Genc Nitaj, mori kontratën më 28 gusht të vitit të kaluar, si zyrtar i marketingut në Telekom.

Së fundmi në Postën e Kosovës është punësuar reja e nënkryetarit të AAK-së, Pal Lekajt, Dorentina Gashi-Lekaj. Po ashtu, në Telekom është i punësuar edhe bashkëshorti i bashkëpartiakes së Nitajt, Donika Kada – Bujupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat