Asnjë komunë s’e ka përfunduar hartën zonale, për këtë s’mund të bëhet as ajo e Kosovës

Aktuale

Asnjë komunë s’e ka përfunduar hartën zonale, për këtë s’mund të bëhet as ajo e Kosovës

Më: 23 mars 2019 Në ora: 20:49
Harta fizike e Kosovës

Asnjë nga komunat e vendit ende nuk e ka finalizuar Hartën Zonale, e, si rrjedhojë e kësaj, nuk mund të bëhet as ajo e Kosovës.

Të gjitha komunat janë në proces të hartimit të këtij dokumenti, mirëpo vetëm Komuna e Ferizajt ka përfunduar rreth 90% të punës, raporton KTV.

Zyrtarë të saj thonë se ka mbetur vetëm pjesa e qytetit, si më e komplikuara.

Sipas Albion Sherifit nga Zyra për Informim e Komunës së Ferizajt, vonesat janë bërë pasi kanë dalë shumë pengesa, siç është plani zhvillimor i qytetit.

Mirëpo, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, këto vonesa po bëhen vetëm sa për të dhënë leje ndërtimore pa kritere.

Por, këtë e mohojnë zyrtarë të Komunës së Ferizajt, duke thënë se pikërisht mosrealizimi i hartës ka ndikuar që të mos jepen leje ndërtimore.

Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e pranojnë se ka pasur vonesa në këtë drejtim, por thonë që hartimi i dokumenteve të planifikimit hapësinor është proces që zhvillohet me komunitetin dhe për komunitetin, i cili kërkon shumë energji dhe kohë.

Në përgjigjen e këtij dikasteri thuhet se 60% e komunave janë në proces të hartimit të Hartës Zonale të Komunës, ndërsa komunat e tjera janë në përgatitje e sipër.

“Hartimi i dokumenteve të planifikimit hapësinor është proces që zhvillohet me komunitetin dhe për komunitetin, i cili kërkon shumë energji dhe kohë. Meqenëse planifikimi hapësinor në Republikën e Kosovës është duke kaluar në procesin e reformës ligjore, pjesa dërmuese e komunave janë duke i harmonizuar dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi me kërkesat ligjore që ka sjellë reforma. Vlen të theksohet se 60% e komunave janë në proces të hartimit të Hartës Zonale të Komunës, ndërsa komunat e tjera janë në përgatitje e sipër”, ka thënë Leutrim Sahiti nga MMPH.

Nga Instituti për Planifikim Hapësinor, po në këtë dikaster, ku bëjnë hartimin e Hartës Zonale të Kosovës, thonë se ky është proces shumë i komplikuar, duke shtuar se këto dokumente do të procedohen në shtator në Qeveri dhe Kuvend për aprovim.

“Jemi të sigurt se procesi është i komplikuar dhe nevoja për bashkëpunim në mes të komunave dhe këtij institucioni është e domosdoshme. Në këtë mënyrë do të evitohen problemet e mundshme që mund të na dalin nga procesi i vlerësimit të dokumenteve në fjalë”, ka thënë Luan Nushi nga Instituti për Planifikim Hapësinor, MMPH.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat