Haradinaj: Kot e kanë ata që duan ta fëlliqin luftën tonë

Aktuale

Haradinaj: Kot e kanë ata që duan ta fëlliqin luftën tonë

Më: 24 mars 2019 Në ora: 15:26
Haradinaj: Kot e kanë ata që duan ta fëlliqin luftën tonë

Kompleksi memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan që nga mëngjesi ishte vendi ku ishin drejtuar qytetarë të shumtë.

Te varrezat ku prehen dëshmorët e Dukagjinit njerëz të shumtë kanë shkuar për të bërë homazhe por edhe për të kujtuar betejën e 24 marsit të vitit 1998.

Për nder të kësaj beteje është organizuar edhe një akademi përkujtimore ku tha se lufta e UÇK-së ishte kthesë historike ndërsa Epopeja e Dukagjinit si ngjarje që kishte ngritur moralin e shqiptarëve, të cilët ishin të etur për liri.

Nga Gllogjani u bë thirrje, që shqiptarët të mos jenë të bashkuar vetëm në përvjetorë, por gjithmonë.

Presidenti i Kosovës  Hashim Thaçi tha se Epopeja e Dukagjinit shënon një kthesë historike në luftën për liri,  pavarësi e çlirim.

Ai në fjalimin e tij përmendi edhe ndihmën e SHBA-së dhe të bashkësisë ndërkombëtare për të cilët tha se duhet që t’i ruajnë si sytë e ballit.

 Thaçi: Marrëdhëniet me ndërkombëtarët t’i ruajmë si sytë e ballit

 “ Prandaj, Epopeja e Dukagjinit më 24 mars shënon një kthesë historike, në luftën për liri, çlirim dhe pavarësi. Por, madhështia dhe vlera më e madhe kësaj date i shtohet kur kemi parasysh se më 24 mars 1999,20 vjet më parë filluan bombardimet e NATO-s, dhe këto bombardime dhe kjo aleancë perëndimore nuk është lidhur rastësisht, por pikërisht fal rezistencës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rezistencës të çdo qytetari të Kosovës, kudo që ka qenë në Kosovë e diasporë, që ndihmuan luftën për liri. Prandaj, sot kujtojmë me pietet e respekt epopenë e Dukagjinit. Kujtojmë dhe vlerësojmë lart mbështetjen ndërkombëtare të cilën duhet ta ruajmë si sytë e ballit në rrugëtimin tonë për anëtarësim në NATO, Be dhe raporte speciale me SHBA-të", tha  Thaçi.

Me këtë rast presidenti i Kosovës ka dekoruar me  "Hero i Kosovës", 12 dëshmorë të Dukagjinit.

E kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që ka qenë edhe vet protagonist kryesor i Epopesë së Dukagjinit  tha se kjo luftë është simbol i rezistencës.

Ai ka thënë  se djemtë e  Dukagjinit çdo herë kanë bërë nam në luftë.

 Haradinaj:  E vetmja herë që shqiptarët u bashkuan ishte bashkimi në UÇK

 " Dukagjini ka lënë nam, në lufta para pushtuesve në të gjitha kohërat e veta edhe para Lek Dukagjinit edhe pas Lek Dukagjinit. Por, një ngjarje që ka bërë kthesë në historinë e shqiptarëve është pikërisht bashkimi i shqiptarëve, bashkimi i Lekës, kur i bashkoi shqiptarët për tu përballur. Edhe sot historia e nami jetojnë me ne edhe sot shqiptarët kudo që janë e ndjejnë atë luftë, e parafytyrojnë... e vetmja herë që u bashkuan ashtu siç i bashkoi Leka ishte bashkimi në UÇK. Në UÇK u bashkuan te gjithë ", tha ai.

 Haradinaj nga Gllogjani është shprehur i bindur se lufta e shqiptarëve ka qenë e pastër dhe kushdo që mundohen ta njollosin e kanë gabim.

Haradinaj: Gabojnë ata që mundohen ta fëlliqin luftën tonë

"Luftëtarët shqiptarë kanë luftuar me kode nderi, kot e kanë ata që mundohen me fëlliq luftën tonë, gabojnë shumë rëndë. Luftëtari shqiptar këto kode i ka ruajtur me mijëra vjet, nuk ka gjykatë që i gjen gabim. Kodet e shqiptarit, janë kode nderi , kode të respektit, janë kode të atij që din me ruajt tjetrin. Ne në Kosovë kemi ditur dhe do të dimë me rujt tjetrin, dhe me i respektu të gjitha etnitë që jetojnë me ne. Asnjëherë nuk do të ndërroj kjo",  tha kryeministri Haradinaj.

Haradinaj ka ndarë medaljen  "Gjergj Kastrioti Skëndërbeu", për tri shoqata të dala nga lufta dhe për tetë brigada të UÇK-së.

 E, komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama tha se është privilegj qe sot të flas në cilësinë e komandantit të FSK-së , tashmë ligjërisht në mandatin e ushtrisë.

Rama: Ushtria e Kosovës ishte ideali i dëshmorëve

"Kam nderin dhe privilegjin e veçantë që sot në përvjetorin e 21-të të epopesë së lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së zonës së Dukagjinit t-iu drejtohem në cilësinë e komandantit i Forcës së Sigurisë së Kosovës, tani ligjërisht në mandatin e ushtrisë së rregullt. Ideal ky jetik i vajzave dhe djemve luftëtarë të lirisë, sot dëshmorë që prehen të qetë në përjetësi. Dhe ideali i veçantë i bacës Hilmi", tha Rama.

E, kërkesa e vëllaut të Adem Jasharit, Rifat Jashari ishte qe shqiptarët të mos jenë të bashkuar vetëm në përvjetorë.

Jashari: Të bëhemi bashkë

" U bëj apel të gjithëve që jo vetëm në përvjetorë, por gjithmonë të jemi kështu bashkë, të veprojmë bashkë edhe të arrijmë qëllimet tona shekullore",  tha Rifat Jashari.

 Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se 24 marsi i para 21 viteve ëdhtë harta e sakrificës dhe lirisë, e cila ka ngritur moralin e popullit shqiptar të etur për këtë liri.

Ramosaj: Epopeja e Dukagjinit ndikoi në bashkimin e shqiptarëve në luftën për liri

 "Epopeja e Dukagjinit është ngjarje e pa përsëritshme në historinë e çlirimit tq atdheut. Akti sublim  i sakrificës dhe sakrificës shekullore për lirinë e Kosovës sakrificës dhe sakrificës shekullore për lirinë e Kosovës, është kryevepër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është historia moderne e lirisë sonë. Epopeja e Dukagjinit është epope e lavdishme qe ndikoi në bashkimin e Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në luftën për liri dhe çlirim. Epope që ngriti moralin e popullit të shtypur e të etur për liri", tha Ramosaj.

Gjatë luftimeve të zhvilluara në Gllogjan, më 24 mars të vitit 1998 ranë dëshmorë Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat