Lutja e Rugovës dhe besa e Blairit

Aktuale

Lutja e Rugovës dhe besa e Blairit

Më: 24 mars 2019 Në ora: 16:33
Ibrahim Rugova dhe Tony Blair

Kah fundi i vitit 1998, Tony Blair kishte pritur në zyrën e tij në Downing Street në Londër, një burrë nga Kosova. Ishte Ibrahim Rugova! Atëbotë, Blair ishte kryeministër i Britanisë së Madhe, ndërsa Kosova po kalonte ditë të rënda lufte. Forcat (para)ushtarake  serbe të dirigjuara nga regjimi i Millosheviqit, po vrisnin dhe po dëbonin në masë popullin shqiptar nga vendi i tyre. Rugova, atë ditë i kishte dhënë Blair-it një kristal të purpurtë e të bardhë. “E mbajta gjatë tërë qëndrimit tim në Downing Street mbi tavolinë. Tash ai kristal ndodhet në shtëpinë time mbi kaminë”, do ta bënte vite më vonë me dije këtë detaj, Blair.

Por esenca e takimit nuk qëndronte te dhurata. Kishte diçka më të rëndësishme se kaq. E kjo ishte e vërteta rreth Kosovës. “Rugova më tregoi për orvatjet e popullit të Kosovës, për nevojën që bota të dëgjojë dhe për detyrën e botës për të vepruar. Ai nuk bërtiste, nuk e shfaqte gjendjen me slogane ose gjeste ekstravagante. Ai fliste butë por me një sinqeritet mbresëlënës”, rrëfente Blair me 1 korrik 2010, në Kuvendin e Kosovës, i cili ishte mbledhur në seancë solemne për nder të tij. Dhe Blair do të vazhdonte rrëfimin për Rugovën. “Derisa largohej më tha: ‘Ju lutem, po ju kërkoj vetëm një gjë: mos lejoni që populli im të vuajë më. Ndjeni për ta siç ndjeni për popullin tuaj. Dhe ndihmoni”.

Këtë lutje e kishte bërë Rugova dhe Blair ia kishte dhënë këtë përgjigje: “I thashë se Britania do të ndihmonte. Ia dhashë ‘besën’ time. Detyrimin tim. Dhe e mbajta”. Bashkë me ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, Blair u bë këmbëngulës për intervenimin e NATO-s mbi caqet ushtarake dhe paramilitare serbe në Kosovë. Sot janë mbushur 20 vjet nga dita kur filluan sulmet mbi agresorin serb, sulme këto që kosovarëve ua kthyen shpresën.

Blair e pranonte se bashkësia ndërkombëtare nuk kishte vepruar me kohë në Bosnjë-Hercegovinë. Si rrjedhojë e intervenimit të vonshëm, atje u bë një katastrofë e madhe. “Në Bosnjë nuk ndërhymë në fillim të viteve ’90, ku qindra e mija njerëz vdiqën në konflikt. A na shpëtoi kjo nga pasojat e një tmerri të tillë. Jo. Vetëm e shtyu momentin e veprimit”, kujtonte Blair.

Po çfarë do të ndodhte me Kosovën, sikur të mos i dilte në ndihmë askush?

“Sikur Kosovën do ta kishim lënë në fatin e saj, rezultati nuk do të ishte katastrofal jo vetëm për ju, por do të ishte një katastrofë edhe për ne”, shprehej i bindur ai.

Blair-it i kujtoheshin edhe takimet e para me qytetarët e rëndomtë të Kosovës të cilët gjatë luftës ishin vendosur në kampet e refugjatëve në Maqedoni, shkruan AktivPress. I kishte parë duke jetuar në tenda, duke mos ditur se çfarë do të ishte e ardhmja e tyre, të vetmuar, të rrezikuar. “Më kujtohen bisedat, rrëfimet e brutalitetit dhe trishtimit. Por po ashtu më kujtohet krenaria dhe guximi i tyre”, rrëfente ai.

Prandaj, Blair thoshte me gjithë bindje se pas gjithë asaj që kishte ndodhur, Pavarësia e Kosovës ishte gjëja e duhur. “Pavarësia e Kosovës është një fakt dhe ajo do të kalojë testin e kohës”, thoshte Blair.

Gjatë fjalimit në Kuvend, ai pati përçuar shumë porosi.

“Tash ju duhet të përcaktoni natyrën e shtetit – jo kufijtë ose sovranitetin e tij, por institucionet, ekonominë dhe vlerat e tij. Ky shtet i Kosovës është një shtet që i përket jo vetëm një grupi ose një feje. Ai i përket tërë popullit të Kosovës”, pati thënë Blair.

“Shumica shqiptare këtu kanë vuajtur shumë si rezultat i idesë se kufijtë e Ballkanit do të mund të rimodeloheshin në bazë të vijave etnike…Ky duhet të jetë një shtet në përputhje me vlerat që kanë çuar tek formimi i tij, një shtet për të gjithë ata të cilët kanë jetuar këtu me breza të tërë – shqiptarëve, boshnjakëve, turqve, goranëve, romëve, ashkalinjve, egjiptianëve ….dhe serbëve”, pati deklaruar Blair.

Blair u fliste politikanëve kosovarë edhe për rreziqet për shtetin.

“Korrupsioni gërryen mbështetjen që populli ka për shtetin. Ai vetëm ushqen paaftësinë. Ai minon punën e madhe. E nuk mund të arsyetohet kurrë. Mungesa e tij është një parakusht thelbësor për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thoshte ai.

“Dhe përderisa ju kërkoni vendin tuaj në institucione multinacionale të qeverisjes globale, përshirë BE-në dhe NATO-n, e ardhmja juaj, përparimi juaj, po ashtu do të ushtrojnë ndikim në botë, ashtu siç ka bërë lufta juaj në të kaluarën”, shprehej i sigurt Blair.

Atij i kishte bërë përshtypje monumenti “Newborn”, i ngritur në Prishtinë në Ditën e Pavarësisë.

“Është i thjeshtë, i rëndomtë por shumë frymëzues. Nënshkrimet e tij, me mijëra sosh, nga njerëzit të cilët kanë bërë vetë shpalljen e pavarësisë. Po ashtu është edhe një simbolikë. Ajo që ne kemi bërë kur intervenuam në vitin 1999 ishte t’u japim juve rastin për një kaptinë të re në historinë e Kosovës. Por ishit ju ata të cilët duhej ta shkruanit atë. Dhe jeni duke e shkruar”, thoshte Blair.

Por, ai tërhiqte vërejtjen se “ende mbetet shumë për të shkruar në tullat e Newborn-it”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat