Përkujtohen dëshmorët Meha, Qorraj, Lushtaku e Kodra

Aktuale

Përkujtohen dëshmorët Meha, Qorraj, Lushtaku e Kodra

Më: 26 mars 2019 Në ora: 14:23
Foto

Në akademinë përkujtimore kushtuar katër dëshmorëve ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se po përkujtohen katër dëshmorë që ranë që Kosova të ketë lirinë, që Kosovë të ketë shtetin e saj të pavarur dhe sovran.

Veseli tha se këtë përkujtim e bëjnë edhe për të treguar se sa e shtrenjtë ishte liria dhe sa shumë sakrifica u bënë që të jetohet kjo ditë.

Image

Po ashtu, ai tha se për ne të gjallët të tregojnë se sa përgjegjësi është që ta dërgojnë përpara këtë amanet të tyre, që shteti i Kosovës të jetë një shtet i cili është vërtetë i lirë, i pacenuar, i cili ka vizion dje qëllim për të ecur përpara.

Kreu i Kuvendit ka pasur një porosi edhe për qytetarët e Skenderajt dhe udhëheqësit e Komunës.

"Sot i përkujtojmë këta 4 heronj për të treguar se Drenica, Skenderaj ka ende çka t'i jap lirisë dhe duhet të jap më shumë, vizionin tonë për të ardhmen, vizionin tonë strategjik e cila është Kosova shtet i pavarur dhe sovran, Kosova shtet perëndimor, Kosova shtet i zhvilluar ekonomikisht. Kjo është edhe një arsye më shumë pse të gjithë qytetarët e në mënyrë më të veçantë ata të cilët bartin petkun e udhëheqjes në Drenicë dje në Skenderaj duhet të jenë edhe më të bashkuar dhe më të fuqishëm që ta dërgojnë përpara amanetin e këtyre heronjve të rënë për liri, për vetë faktin se jemi në gjysmë të rrugës, për vetë faktin se duhet të bëjmë edhe më shumë dhe e kemi obligim të bëjmë edhe më shumë për lirinë e Kosovës dhe për gjeneratat të cilave do t'iu lëmë trashëgim shtetin tonë të pavarur dhe sovran", tha Veseli.

E kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari, ka thënë se po përkujtojnë veprën, sakrificën dhe heroizmin e dëshmorëve të lirisë. Për dëshmorët Beqir Meha, Mustafë Qorraj, Ilir Lushtaku dhe Avdullah Kodra, Jashari tha se u rreshtuan në vargun e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e atdheut.
 

Image

I pari i Skenderajt tha se vepra dhe përkushtimi i trimave të lirisë nëpër dekada e shekuj kundër okupimit dhe kundër përpjekje për shpërngulje nga trojet shqiptare, bënë që UÇK-ja të organizohen me qëllimin që populli të jetojë i lirë.

 "Kaluan dy dekada, do të kalojnë edhe shekuj, por dëshmorët do të mbeten gjithmonë në mendjet dhe zemrat tona, sepse dëshmorët janë nderi dhe krenaria jonë. Sepse liria ishte e shtrenjtë, liria u desh të paguhej me gjak, do të thotë liria u desh të fitohet me dëshmorë. Sakrifica e këtyre dëshmorëve dhe e gjithë dëshmorëve, heronjve dhe veprimtarëve tjerë na thërret që vendin tonë ta dërgojmë përpara, që ne të jemi të bashkuar, më unik, të ndërtojmë, të zhvillojmë arsim, shëndetësi, por edhe zhvillim ekonomik. Duke nderuar dëshmorët nderojmë atdheun, nderojmë të ardhmen tonë nderojmë vetveten", tha Jashari.

Ndërsa nga Shoqatat e dala nga lufta ka folur Hysni Gucati, i cili u shpreh se gjaku i dëshmorëve duhet të shërbejë si udhërrëfyes.

"Këtu 20 vjet më parë në Drenicë gjithandej Kosovës bëhej luftë çlirimtare, luftë e drejtë e bijve dhe e bijave më të guximshme të kombit, të cilët pa hezitim dolën përballë makinerive ushtarake policore serbe, me të vetmin qëllim për lirinë e popullit të vet. Sot jemi tubuar këtu që t'i përkujtojmë heronjtë e Kosovës, të cilët luftuan deri në rënien e tyre që sot populli ta gëzojë lirinë, të jetojnë pa frikë. Sakrifica e tyre sublime, gjaku i gjithë dëshmorëve të kombit dhe lufta e drejtë e UÇK-së për liri duhet të na shërbejë si udhërrëfyes për rrugëtimin tonë për ndërtimin e shtetit dhe të shtetësisë", u shpreh ai.

Gucati tha se heroizmi i 4 dëshmorëve që po përkujtojnë janë shembulli më i mirë se si duhet dashur atdheu. Ai tha se heroizmi i tyre është mesazh që i obligon ta vazhdojnë më tutje dhe të ndjekin rrugën e dëshmorëve.
 

Image

Në emër të katër familjeve të dëshmorëve ka folur djali i dëshmorit Mustafë Qorraj, Shpëtim Qorraj, i cili ka uruar që gjithmonë të bashkuar t'i përkujtojmë dëshmorët.

"Urojmë që gjithmonë kështu të bashkuar t'i përkujtojmë dëshmorët dhe gjithmonë kështu të bashkuar të punojmë për Kosovën tonë të dashur", tha ai.

Në 20- vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit, kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari, ka bërë homazhe tek varri i dëshmorit Mustafë Qorraj, në Pemishtë.

Po ashtu, ka bërë homazhe edhe tek varrezat e tre dëshmorëve dhe 11 martirëve të fshatit Vitak.

Gjithashtu, homazhe ka bërë edhe tek varri i dëshmorit Ilir Lushtaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat