Shqipëria mbështet Kosovën në fushën e gjyqësorit

Aktuale

Shqipëria mbështet Kosovën në fushën e gjyqësorit

Më: 26 mars 2019 Në ora: 16:28
Arta Rama-Hajrizi, priti sot në takim ministren e Drejtësisë të Shqipërisë, Etilda Gjonaj

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, priti sot në takim ministren e Drejtësisë të Shqipërisë, Etilda Gjonaj, me të cilën diskutoi për punën e Gjykatës Kushtetuese, sfidat e përballura gjatë përzgjedhjes së gjyqtarëve të ri dhe largimi i gjyqtarëve ndërkombëtarë vitin e kaluar.

Ajo e vlerësoi lartë ecurinë që ka bërë Shqipëria në reformimin e sistemit të drejtësisë nëpërmjet procesit të vettingut, duke nënvizuar rëndësinë që ka për konsolidimin e shtetit të së drejtës në çdo vend, emërimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve me integritet.

Kryetarja Rama-Hajrizi më tutje tha se, ashtu si edhe të gjitha institucionet shtetërore të të dyja vendeve, edhe gjykatat kushtetuese të Kosovës dhe të Shqipërisë kanë kultivuar një bashkëpunim të shkëlqyer ndër vite, duke pasur çdo herë si udhërrëfyes standardet evropiane të gjyqësisë kushtetuese.

Ndërsa, ministrja Gjonaj shprehu gatishmërinë e shtetit shqiptar për të vazhduar përkrahjen për të gjitha institucionet dhe për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, si dhe për të forcuar raportet e gjithanshme të bashkëpunimit, në veçanti në fushën e drejtësisë.

Të dyja palët shkëmbyen idetë dhe përvojat reciproke sa i përket sistemeve gjyqësore të të dyja vendeve, me fokus të veçantë në pavarësinë e gjyqësorit, si dhe praktikat e përzgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat