Me këtë rast presidenti Thaçi u shpreh i kënaqur që Kosova dhe Kanadaja këtë vit shënojnë 10-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve dhe e falënderoi deputetin Wrzesnewskyj për përkrahjen e vazhdueshme që Kanadaja i ka dhënë Kosovës.
“Tani po punojmë për forcimin e paqes dhe për stabilitetin e qëndrueshëm. Është njësoj e rëndësishme të përkrahet Kosova edhe tani, veçanërisht në përpjekjet për të arritur marrëveshjen e përhershme paqësore me Serbinë dhe në transformimin e FSK-së në forcë të gatshme për t’u bërë anëtare e NATO-s”, tha Thaçi.
Ai shtoi se Kosova është e qartë se të ardhmen e sheh në NATO dhe BE.
Deputeti Wrzesnewskyj u shpreh se e njeh mirë rrugën e vështirë dhe tragjike të Kosovës dhe e kupton rëndësinë e sigurisë së përgjithshme.
“Është inkurajues zhvillimi i deritashëm i Kosovës në përgjithësi dhe zhvillimi i FSK-së në veçanti”, theksoi deputeti Wrzesnewskyj.