Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Rrustem Berisha, deklaroi sot se mandati i ri i FSK-së do të ruajë karakterin profesional, me mision mbrojtës dhe si e tillë është në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Ai këto komente i bëri gjatë një takimi sot me deputetin federal të Kanadasë, njëherësh kryesues i Asamblesë Parlamentare kanadeze të NATO-s, Borys Wrzesnewskyj, shoqëruar nga ambasadori i Kanadasë që mbulon edhe Kosovën Daniel Maksymiuk.
Ministri Berisha, pasi falënderoi Wrzesnewskyj për ndihëm dhe përkrahjen e madhe të Kanadaja ka dhënë për Kosovën, e njoftoi edhe me zhvillimet e fundit, miratimin e ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Ne jemi zotuar se rajoni do të ketë edhe një forcë aleate, të ndërveprueshme me aleatët dhe në shërbim të krijimit dhe ruajtjes së paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon dhe më gjerë, jo vetëm konsumues por edhe ofrues të paqes. Përkrahja e Kanadasë edhe në këtë proces është shumë domethënëse për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në”, u shpreh ministri Berisha.
Ndërsa, Wrzesnewskyj ka shprehur përkrahjen e Kanadasë për proceset në të cilat po kalon Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.