Fajon ‘bombardon’ BE’në për vizat: Po gënjeni kur thoni se s’janë përmbushur kushtet

Aktuale

Fajon ‘bombardon’ BE’në për vizat: Po gënjeni kur thoni se s’janë përmbushur kushtet

Më: 27 mars 2019 Në ora: 19:13
Tanja Fajon

Raportuesja për Kosovën tha se “Evropa është duke humbur kredibilitetin dhe qytetarët e Kosovës po humbin shpresën”.

Parlamenti Evropian ka diskutuar të mërkurën rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në mesin e diskutimeve mes përfaqësuesve evropianë ka pasur dallime të qarta në qëndrime rreth regjimit të vizave për Kosovën.

Megjithatë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë se Bashkimi Evropian ka dështuar që të realizojë premtimet e tij ndaj Kosovës.

“Rritja e radikalizmit nuk ka të bëjë me kufizimin e udhëtimit sidomos për të rinjtë dhe për qëllime të vizitave. Mirëpo po, rritja e radikalizimit mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës dhe dëshprimit pasi BE-ja ka dështuar të realizojë premtimin e saj”, është shprehur ajo.

Fajon e ka përmendur sërish se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e vëna nga blloku evropian. Përveç kësaj ajo ka thënë se:

“…nëse ju sot thoni se Kosova nuk ka përmbushur obligimet ju thjesht jeni duke gënjyer, jeni duke u treguar të papërgjegjshëm”.

Përveç kësaj raportuesja për Kosovën ka thënë përmes një postimi në Twitter se “Evropa është duke humbur kredibilitetin dhe qytetarët e Kosovës po humbin shpresën”.

Pas këtyre diskutimeve, Parlamenti Evropian pritet të votojë të enjten për hapat e ardhshëm të këtij procesi.

Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012. Bashkimi Evropian i kishte vënë Kosovës si detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian.

Një rekomandim të tillë, Komisioni Evropian e ka bërë në korrik të vitit 2018, ndërkaq në shtator të po atij viti, Parlamenti Evropian kishte votuar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave nuk e vendosi fare në agjendën e takimit të tyre çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohen regjimit të vizave në zonën Shengen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat