A ka gjasa Serbia ta destabilizoj Kosovën?

Aktuale

A ka gjasa Serbia ta destabilizoj Kosovën?

Më: 27 mars 2019 Në ora: 20:56
Policia e Kosovës

Drejtori i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI), Shpend Maxhuni, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, para deputetëve, ka deklaruar sot se diplomacia serbe ka shfaqur tendenca për ta destabilizuar Kosovën, për çka është njoftuar edhe presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj.

Duke ditur se dialogu mes dy shteteve është stopuar dhe fushatën e vazhdueshme që po bën Serbia në arenën ndërkombëtare ndaj Kosovës, shtrohet pyetja: cilat janë gjasat që me të vërtetë të ketë një destabilizim të situatës së sigurisë në vend?

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi thotë se nuk është e vështirë të konstatohet se Serbia përmes agjenturës së vet ka tendenca ta destabilizoi Kosovën dhe sipas tij faktet nuk është e vështirë të grumbullohen.

Ai thotë se si ekspert i sigurisë ka tërhequr vëmendjen në vazhdimësi se shërbimet inteligjente serbe janë duke zhvilluar aktivitete subversive në drejtim të shtetësisë së Kosovës.

“Këto aktivitete kapin gamë të gjërë veprimi e të cilat përmes metodës ‘duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza’ sulmojnë bazën e shtetësisë së Kosovës, duke filluar me sistemin ekonomik, sistemin e drejtësisë, arsimit, atë shëndetësor, bashkësitë fetare etj”, thotë Kajtazi për Reporteri.net. Ai më tej tregon se si shteti serb po i zhvillon aktivitetet kundër Kosovës.

“Këto aksione të planifikuara mirë po zhvillohen sipas shablloneve të njohura: Kamuflimin e veprimtarisë së fshehtë deri në masën që ajo të duket gjë e rëndomtë, duke e reduktuar në nivelin e një fatkeqësie elementare; sulmin masiv mbi popullatën ose grupet që e masivizojnë efektin; veprimtaria e fshehtë, të orientohet në fushat që kanë ndikim psikologjik te popullata, në mënyrë që me kalimin e kohës, ose të shkaktojnë gjendjen e depresionit dhe paperspektivës, ose të krijojë efekte që i konvenojnë agresorit, në këtë rast Serbisë; dhe së fundmi, ndikimi në krijimin e masave të mëdha njerëzish që përhapin idenë se pushteti i agresorit (në këtë rast i Serbisë) është më i mire”, thotë Kajtazi.

Ai më tej shprehet se si shërbimet sekrete serbe po ndikojnë që kosovarët të ikin nga vendi, por jo vetëm në këtë.

“Ne çdo ditë shikojmë një popullatë depresive, me minimumin e moralit dhe optimizmit, me disponim që ta braktisë vendin, me prirje për t’u futur në aktivitete kriminale për përfitime materiale dhe me një bindje se ‘në kohët e shkuara, në kohën e Jugosllavisë, kishin gjendjen më të mirë në arsim, ekonomi, shëndetësi dhe siguri. Ky është një konstatim i tmerrshëm i cili është implementuar fal metodave të specializuara të shërbimeve inteligjente serbe të cilat duke e sabotuar sistemin shtetërorë të Kosovës kanë arritur të krijojnë efekt masiv mbi popullatën”, thotë Kajtazi.

Siç thotë ai në gjithë këtë mes bie në sy injoranca e klasës politike të Kosovës dhe sipas tij përfshirja e një pjese të tyre qëllimshem në këto aktivitete, çka ka rritur intenzitetin e efektit të veprimit të aktiviteteve subversive serbe kundër shtetësisë së Kosovës.

Ndryshe, vlen të theksohet se pas raportimit të kryespiunit Shpend Maxhuni në Komisionin kuvendar për AKI-në është nxjerrë konkludim se gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat